“Fletët në kutitë e gabuara të konsiderohen të vlefshme”

KQZ miraton raportin vjetor, rekomandon ndryshime në Kodin Zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje raportin vjetor, me 4 vota “pro” dhe 3 kundër. Dokumenti që do i përcillet Kuvendit javën e ardhshme, për punën në këtë vit elektoral, kaloi vetëm me votat e anëtarëve të djathtë. Të majtët e quajtën atë jo realist pasi lë jashtë fokusit votimet e njëanshme të institucionit dhe vërejtjet e ODHIR, akuzë, e cila u kundërshtua nga kryetari Ristani.
Për kryetarin e KQZ, Arben Ristani tha se 3 përfaqësuesit e majtë në Komision, vazhdimisht kanë tentuar të politizojnë institucionin si dhe të diktojnë sipas anshmërisë politike, procesin vendimmarrës.
“Ajo që vihet re dhe më duhet ta theksojë, që në mënyrë konsenguente është tentativa për të prishur dhe nxirë punën e KQZ-së, nga fillimi deri në fund. Kjo katërshe ka vendime “pro” dhe kundër të majtës, “pro” dhe kundër të djathtës në Parlament, ndërkohë që kjo treshe nuk ka asnjë vendim kundër interesave të majtës në këtë tavolinë. Kjo është anshmëria në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh kreu i KQZ-së, Arben Ristani.
Kreu i KQZ-së Arben Ristani, në dokumentin që do t’i përcillet Kuvendit, rekomandon rregullimin në Kodin Zgjedhor të fatit të fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.
Kryetari i KQZ-së deklaron me tej se zgjedhjet e 2011-s përveç polemikave dhe politizimit, u vlerësuan nga OSBE/ODIHR. Po ashtu dhe Kolegji Zgjedhor, i cili i dha të drejtë për sa i përket zgjidhjes mbi votat e hedhura gabimisht.