“Amendamentet e PS shkelin Kushtetutën dhe marrëveshjen e 14 nëntorit 2011”
Deputeti i PD-së, Jemin Gjana
Partia Demokratike i cilëson si provokime të qëllimshme të Partisë Socialiste amendamentet e propozuara së fundmi në rregulloren e re të Kuvendit, si “dekretet e Presidentit dhe kufizimi i fjalës së Kryeministrit”.
Sipas bashkëkryetarit të komisionit parlamentar për rregulloren e re të Kuvendit, Jemin Gjana pretendimet e ngritura nga Edi Rama, janë motivet kryesore për bllokimin e rregullores së Kuvendit. Sikundër u shpreh deputeti demokrat, Gjana akuzon socialistët se kanë ri-sjellë në tryezë kushtet e vjetra, duke shkelur kështu marrëveshjen e 14 nëntorit 2011.
Reagimi i Gjanës erdhi pas akuzave të opozitës se mazhoranca po pengon punën për reformën parlamentare dhe atë të Kodit Elektoral.
“Jam këtu për t’iu përgjigjur sjelljeve provokuese, me qëllim dhe prapavijë bllokimin e punës në grupin e punës të reformës parlamentare, nga kolegët përfaqësues të opozitës, në këtë grup pune. Provokime dhe natyrë bllokuese, të cilat vijnë si rezultat i ri-sjelljes në tryezë të grupit të punës, të amendamenteve të propozuara prej tyre, që në shtatorin e vitit të shkuar. Propozime dhe amendime të cilat i ka rrëzuar marrëveshja e nëntorit të vitit 2011. Argumenteve dhe përgjigjeve tona ndaj këtyre amendamenteve nuk i është dhënë përgjigje që nga 28 janari. Është heshtur nga pjesa e përfaqësuesve të opozitës dhe jo vetëm që nuk është reaguar, por edhe janë sjellë pretendime të ndryshme për pamundësinë për tu ulur dhe për të diskutuar në grupin e punës. Ndërkohë në mënyrë krejt të njëanshme është kaluar edhe në mediatizimin e çështjes me qëllim prishjen e frymës së konsensusit. Në thelb argumentet tona kundërshtuese bazohen në frymën e marrëveshjes të nënshkruar prej dy palëve në 14 nëntor të vitit të shkuar. Marrëveshje, e cila për reformën parlamentare ka pasur dakortësinë se nuk mund të ketë amendamente të cilat vijnë dhe janë në thyerje të Kushtetutës së vendit. Nuk mund të ketë amendamente të cilat janë në thyerje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të ketë amendamente të cilat nuk janë në koherencë vetëm me një rregullore, dhe ajo është rregullorja e Parlamentit Europian. Më konkretisht është provokuar me qëllim për ta penguar, bllokuar, punën në grupin e punës”, u shpreh Gjana.
Duke iu rikthyer kërkesës për votim të fshehtë të dekreteve që kanë të bëjnë me emërimet në sistemin Gjyqësor, Gjana tha se kjo kërkesë vjen në kundërshtim me Kushtetutën, me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese sepse siç është tashmë e njohur dekretet për emërimin e Kryeministrit, të 15 ministrave, votimi i raporteve e për pasojë dhe votimi i dekreteve, të cilat nuk janë votim për emrin, por janë votim dekretesh të Presidentit për emërimet në Gjyqësor. Gjana tha se nuk do të pranohen amendime që vijnë në kundërshtim me atë që është rënë dakord mes palëve.
Sipas tij, amendamentet e paraqitura nga opozita janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Parlamentit Europian.
Deputeti demokrat, Jemin Gjana garantoi për gatishmërinë e mazhorancës për të vijuar punën me reformën parlamentare, në respekt të marrëveshjes së 14 nëntorit.
“Me gjithë këtë fryme dhe këtë tendencë për ta bllokuar, ne jemi përpjekur të tregojmë të gjithë gjenerozitetin tonë. Madje duke mos sulmuar, atakuar opozitën, përfaqësuesit e saj, drejtuesin e opozitës, deri në momentin që ata as nuk kthyen përgjigje, as treguan gatishmërinë për t’u ulur, për të punuar, dhe nuk kanë sjellë asnjë amendim të ri.
Kanë një muaj që kanë vazhduar t’i përtypin herë mediatikisht, herë në tryezën e punës të grupit të punës gjithë këto qëndrime. Ne kemi të gjithë gatishmërinë të vazhdojmë të punojmë për këtë reformë parlamentare, bazuar në atë konsensus dhe me atë mirëbesim që është vendosur në nëntor të 2011 në marrëveshjen e përbashkët. Një reformë parlamentare e cila nuk mund të jetë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me rregulloren e Parlamentit Evropian. Jemi të gatshëm për të trajtuar çdo propozim të tyre. Ne nuk i kemi refuzuar, por i kemi pranuar t’i shtrojmë në tryezën e diskutimit dhe ato amendamente të shkuara, por nuk ka asnjë amendim tjetër”, u shpreh ndër të tjera, bashkëkryetari i grupit të punës për rishikimin e rregullores së Parlamentit, Jemin Gjana.