Berisha: Filozofia jonë, të mos braktisim asnjë komunë dhe bashki të vendit

Mblidhet Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, ndahen fondet për financimin e 420 projekteve në bashkitë dhe komunat e vendit
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se projektet më të rëndësishme janë ato në infrastrukturën rrugore, ndërtimi i shkollave dhe qendrave shëndetësore si dhe ujësjellës kanalizime. “Sot vendosim për financimin dhe disbursimin e fondeve për 420 projekte, në bashkitë e komunat e vendit. Këto përfshinë: 124 projekte në infrastrukturën rrugore të bashkive e komunave; 73 projekte në ujësjellës e kanalizime; 75 projekte për qendra shëndetësore; 128 projekte për shkolla në arsimin para universitar e universitar; 21 projekte në ujitje dhe kullim dhe në fushën e kulturës alokohet një fond prej 28 milionë lekë. Në tërësi, ne shpërndajmë sot, rreth 5.6 miliardë lekë. Do të likuidohen të gjitha projektet e përfunduara, sipas vendimit të sotëm do të financohen në shumën totale projektet që kanë përfunduar mbi 80 për qind të punimeve, do të financohen në koston respektive të punimeve të gjitha projektet e tjera, të hapura gjer më sot”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se departamenti i koordinimit të ndihmave ka bërë një punë serioze duke shqyrtuar së bashku me agjencitë e tjera të gjitha projektet dhe gjendjen e tyre.
Komiteti do mblidhet së shpejti që të vendosë për projektet e reja, në të cilat përparësi krahas kritereve, do kenë ato njësi të qeverisjes vendore të cilat nuk kanë marrë financime.
“Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj ka bërë një punë serioze, duke shqyrtuar së bashku me agjenci të tjera, të gjitha projektet e gjendjen e tyre. Kjo është një punë me përgjegjësi e jashtëzakonisht e rëndësishme për vendimet që marrim. Komiteti do të mblidhet së shpejti për të vendosur për projektet e reja, në të cilat përparësi, krahas kritereve të shpërndarjes, të cilat janë miratuar e kanë funksionuar, do të kenë ato njësi të qeverisjes vendore që nuk kanë marrë financime. Është në praktikën tonë të financojmë projekte fizibël në të gjitha komunat e bashkitë e vendit. Në rast se ka ndodhur që ka komuna që nuk kanë marrë financime nga ky grand i Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, kjo, së pari, për përgjegjësi të tyre. Në ndonjë rast të caktuar, por që është ekzotik, kryetari, në një verbëri politike, u ka deklaruar qytetarëve se nuk marr fonde nga kjo qeveri. Ky është një qëndrim fanatik, primitiv, që nuk besoj të jetë e nuk ka qenë direktivë e kryetarit të Partisë Socialiste, i cili, sa ishte kryetar bashkie ka marrë nga kjo qeveri tre herë më shumë fonde, sesa nga qeveria e tij, por është tjetër problem se si janë menaxhuar ato. Pavarësisht nga kjo, Sekretariati Teknik do shqyrtojë dhe të identifikojë ato njësi vendore që nuk kanë marrë financime, projekte dy vitet e fundit dhe do t’i avancojmë. Qytetarët duhet ta dinë se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për t’ju ofruar atyre infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit, çka do të thotë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkollë, qendër shëndetësore, energji. Të tjerat, sigurisht, i krijojnë vetë. Por infrastruktura bazë do t’u garantohet pa dallim, në përpjekjen tonë në të katër anët e vendit”, tha ai.
Në mbledhjen tjetër tha kryeministri, do të shqyrtojmë projektet për rrugë, ujësjellës, shkolla, kopshte e kampuse universitare, për vepra vaditje e kullimi, për trashëgiminë kulturore, për dy projektet madhore kombëtare ullirin, arrorët dhe drurët frutorë. Gjithashtu ai garantoi ata qytetarë që kanë fituar në këto projekte, se do të marrin mbështetjen financiare të premtuar këtë vit.
“Sekretariati teknik i komitetit për zhvillimin e rajoneve ka përpunuar softin dhe do mund të bëjë publik dhe transparent të gjithë veprimtarinë e këtij komiteti, të gjitha projektet e financuara për masën dhe shpërndarjen e tyre. Kjo ka rëndësi të madhe në mënyrë që veprimtaria të jetë tërësisht e kontrollueshme”, theksoi ai.
Ndërkohë, kryeministri vuri në dukje se është e domosdoshme të krijohen edhe komitete respektive në qarqe, për të përcaktuar përparësitë dhe shpërndarjen më transparente.
“Në filozofinë tonë, ne nuk braktisim as edhe një zonë a komunë të vetme. Sigurisht, nuk mund të mohohet se kriter kryesor do të ketë financimi për frymë, por në raste të caktuara, për qëllime nga më të ndryshmet, ky parim do të tejkalohet. Marrim për shembull investimin në rrugën Hani i Hotit-Vermosh, një rrugë që kalon pothuaj në një komunë, por nuk mund ta lësh Shqipërinë të shkëputur, përveçse nga kjo rrugë përfitojnë shumë edhe banorët e Plavës e të Gucisë. Pra, edhe pse kalon në një komunë, prapëseprapë, ai është një territor i gjerë i vendit, edhe pse dendësia e banorëve nuk është e madhe, potenciali turistik i zonës është shumë i madh. Ndaj rruga do të ndërtohet. Në tërësi, ne kemi kriter kryesor: investimet sipas numrit të banorëve, por një kriter tjetër, i cili ka rëndësi shumë të madhe, është edhe nxjerrja nga izolimi i zonave të vendit, që nuk janë të pakta, për shkak të gjeografisë së veçantë të këtij vendi, ku 80 për qind e territorit janë male e kodra të larta dhe 20 për qind fushë. Ndaj do t’i përshtatemi këtij realiteti dhe do të investojmë në çdo njësi të qeverisjes vendore, në mënyrë që të realizojmë premtimin tonë ndaj qytetarëve shqiptar”, deklaroi Berisha.