Financimi i partive, PD tërhiqet nga ideja e krijimit të ligjit
Tërhiqet qeveria për ligjin e financimit të partive. Kryeministri Berisha ka deklaruar dje, në grupin parlamentar të demokratëve, se nuk do të ketë një ligj të veçantë për mënyrën e financimit të partive gjatë fushatës elektorale, por vetëm do të bëhen disa ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, që do të përcaktojnë disa kritere për mënyrën se si partitë do të sigurojnë fonde gjatë fushatës elektorale. Ngelet në fuqi varianti i vjetër. Rregullimi ligjor i çështjes së financimit të partive politike pritet të konkretizohet në komisionin e reformës zgjedhore. Ky komision do t`i japë udhë këtij debati, duke caktuar rregullat e lojës. Debatet gjatë gjithë kësaj kohe janë përqendruar te mënyra e ndërhyrjes në ligj. Opsioni i pranuar nga Berisha është që të ketë ndërhyrje me amendime në Kodin Zgjedhor për sa u takon shpenzimeve në fushata dhe krijimin e një ligji, që shërben si rregullator për pjesën tjetër të veprimtarisë së partive jashtë fushatave. Një prej objektivave në ndërhyrjen që po programohet në kuadër të financimit, është vendosja e rregullave për donacionet. Synohet që të sanksionohen edhe masa që kushtëzojnë llojin e donacioneve, shumën e tyre, deri edhe statusin juridik të atyre që i japin. Një opsion parashikon që donatorë nuk mund të jenë biznese që kanë përfituar tenderë publikë për një kohë të caktuar. Tjetër drejtim ku do të përqendrohet debati është mekanizmi i auditit dhe transparencës së transaksioneve financiare që bëjnë partitë në periudhë fushate apo jashtë saj. Pasi Këshilli i Ministrave ka hartuar draftin e ri që do të survejojë financimin e partive, mazhoranca në grup është tërhequr nga kjo nismë, duke u mjaftuar vetëm me amendamentet që do të kryhen brenda komisionit të reformës zgjedhore. Shefi i ekzekutivit ka komentuar gjithashtu edhe sfidat e ardhshme të vendit në rrugën kundër korrupsionit. "Nuk mund ta trajtojmë Shqipërinë si në vitin ‘90-‘91, sepse absolutisht është një Shqipëri krejtësisht tjetër. Absolutisht nuk ka gjë më të rëndësishme sesa fakti që ne dëshmuam se mund ta luftojmë korrupsionin. Sepse kishte edhe një mendim tjetër, se ne ishim shoqëri e korruptuar", tha ai.