E Shtunë, 31 Tetor 2026

"PS91", kartat e anëtarësisë pa emër kryetari

Partia Socialiste (PS91), me kryetar Petro Koçin, fillon të organizojë strukturat në bazë. Ish-nënkryetari i grupit parlamentar socialist sqaroi dje kriteret në përcaktimin e drejtuesve të strukturave të kësaj partie. Sipas tij, parimi kryesor i ndërtimit dhe funksionimit të "PS91" do të jetë institucionaliteti, d.m.th., rregullshmëria e pacenueshme në organizim dhe vendimmarrje. "Ne po rivendosim legjitimitetin statutor në jetën politike të socialistëve, legjitimitet i shkatërruar nga teknologjia Berisha në proceset organizative të PS", theksoi Koçi. Prandaj, shtoi ai, e rifillojmë ngritjen e sistemit tonë organizativ aty ku Edi Rama rrëzoi institucionalitetin. Koçi tha se kartat e anëtarësisë të lëshuara para rënies së rregullit statutor në Partinë Socialiste do jenë të vlefshme në partinë tonë të re. "Ndërsa kartat e reja do kenë simbolin tonë tradicional, por jo me firmë kryetarësh", vijoi Koçi. Ai sqaroi se kryetarët e "PS91" në rrethe duhet të plotësojnë kriterin e anëtarësisë të paktën 3-vjeçare në PS. "Ndërsa anëtarët e Gjykatës Statutore duhet të kenë qenë të paktën 5 vjet anëtarë në Partinë Socialiste", tha Koçi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›