E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sistemi i drejtësisë, e majta të jetë unike"

Ilir Meta u kërkoi gjithë forcave opozitare të reflektojnë në raport me reformën në sistemin e drejtësisë. Në një komunikim të djeshëm me median, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se "në vend që t‘i ofrojnë bashkëpunim Sali Berishës për pseudo-reformën në drejtësi, të pozicionohen qartë në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit, dhe të heqin dorë nga lojërat e dyfishta të bëra deri tani". Sipas tij, Kryeministri i vendit, në një shou të shëmtuar televiziv, në orët e vona të mbrëmjes, u përpoq t‘i bindte shqiptarët se Qeveria e tij ka luftuar korrupsionin, gjoja me efikasitet. "Monologut të tij të gjatë televiziv, që pati shumë demagogji dhe retorikë, i mungoi pikërisht përgjigjja ndaj kryengjarjes të korrupsionit në Shqipëri e përtej saj, aferës së zezë të Gërdecit", theksoi Meta.

LSI, shtoi ai, dhe shumica e shqiptarëve, nuk presin më të shikojnë reflektimin e këtij Kryeministri për të krijuar transparencën e domosdoshme të kësaj afere, që, sipas partnerëve tanë, edhe atyre amerikanë, duhet të përcaktojë ecurinë e mëtejshme të anëtarësimit tonë në NATO dhe në BE. "Ajo që na serviri Kryeministri dje, ishte pikërisht vendosmëria e tij për të vazhduar në të njëjtën rrugë të uzurpimit të pushteteve të pavarura, jo për të rritur efikasitetin e tyre e për të luftuar korrupsionin, por pikërisht për t‘i intimiduar organet e drejtësisë", këmbënguli Meta. Në mënyrë që, sipas tij, e vërteta e Gërdecit dhe e aferave të tjera berishiane të mos dalë asnjëherë në dritë. Meta konstatoi se në daljen e tij publike, Kryeministri u përpoq të frikësonte prokurorët me heqje imuniteti dhe deri me pranga. "Ai nuk e fshehu dot papërmbajtjen e tij për të qenë në kontroll të plote të sistemit gjyqësor, që me Kushtetutë është një pushtet i pavarur", vijoi kreu i LSI-së. Në vlerësimin e Metës, Berisha mori pozat e një kryeakuzuesi, ndërkohë që vetë ai është i akuzuari i madh i shqiptarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›