E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marjan Gryka: Policia po manipulon provat

Dy ditë pas atentatit ku mbeti i plagosur në këmbë, ish-truproja i Azem Hajdarit, Marjan Gryka, thotë se jeta e tij është ende në rrezik. "Jeta ime, pas atentatit për motive politike që m‘u bë në rrugën e ‘Zogajve‘ është në rrezik serioz. Kjo shihet dhe me masat që ka marrë policia që, gjatë 24 orëve, ka vënë te dera e dhomës njerëz që më ruajnë. Nga ana tjetër, dua të them se segmente të caktuara të Policisë së Shtetit po krijojnë situata inskenuese, duke thënë gënjeshtra se në makinën e Marjan Grykës është gjetur një pistoletë pa leje", thotë Marjan Gryka. Ai sqaron se këqyrja e makinës në vendin e ngjarjes dhe transportimi i saj është bërë pa dijeninë e familjarëve apo të afërmve të tij, të cilët duhet të ishin lajmëruar nga policia për të qenë të pranishëm. Sipas Grykës, segmente të caktuara kanë përfituar nga kjo dhe bënë çfarë kanë pasur dëshirë, brenda dhe jashtë makinës. "Unë u qëllova nga njerëz me pushtet, të cilët nuk duan që të rihapet çështja e Azem Hajdarit. Gjithçka ka motive politike dhe kjo është e vërteta e së gjithë ngjarjes", thotë Gryka, i cili u qëllua me pesë plumba automatiku mbrëmjen e 28 shtatorit, në rrugën Shkodër-Zogaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›