Rama: Berisha, probleme personale me drejtësinë
Kryeministri Sali Berisha ka probleme personale me drejtësinë. Ky ishte konstatimi i djeshëm i liderit të socialistëve, Edi Rama, një ditë pasi shefi i mazhorancës bëri publike arritjet e ekzekutivit. "Nuk përbën lajm dhe pa asnjë dyshim Kryeministri është i paaftë për ta fshehur urrejtjen e tij ndaj njerëzve të drejtësisë dhe qëllimin e tij të pandryshueshëm, qysh në krye të herës, për ta vënë sistemin e drejtësisë nën kontrollin e tij", këmbënguli Rama. Deri dje, shtoi ai, kjo synohej thjesht dhe vetëm, për arsye të mendësisë së tij komuniste, kurse sot edhe për arsye të problemeve të tij personale me drejtësinë. Teksa iu referua konferencës për shtyp të Kryeministrit, Rama tha se ai "në orët e darkës hyri direkt në shtëpitë e shqiptarëve me një konferencë shtypi, që do ta kishte pasur zili edhe Fidel Kastro". Kjo, shtoi ai, qoftë për nga ora e zgjedhur, qoftë për nga kohëzgjatja e jashtëzakonshme, apo për nga thellësia e hendekut ndarës mes atyre që Sali Berisha tha dhe realitetit të keqqeverisjes së tij. "Derdhi mbrëmë një lumë gënjeshtrash, faktesh të rreme, shifrash të pavërteta. Ndër të tjera, foli për hipjen e Shqipërisë drejt majave të botës për arritjet kundër korrupsionit", u shpreh lideri i opozitës. Berisha, vijoi ai, u përpoq të kapej si i mbyturi pas fijes së barit në fakte dhe shifra të deformuara tërësisht, për të mbuluar me tym propagandistik faktet rrëqethëse të jetës së përditshme shqiptare. "U tall mbrëmë me 104625 punonjësit buxhetorë duke gënjyer për rritjen e rrogave të tyre pa llogaritur ato që pasi ua quan si rritje, ua merr drejtpërdrejt me taksën e sheshtë, ua merr çdo ditë me më shumë tatim mbi vlerën e shtuar", konstatoi kreu i socialistëve. Rama i kujtoi atij, që e cilësoi gënjeshtar të pandreqshëm, që në qoftë se përpara hipjes së tij në kurrizin e tyre punonjësit buxhetorë paguanin 6 mijë lekë tatim në muaj, tani paguajnë 42 mijë lekë në muaj!. Tallja, sipas tij, ishte edhe me gjithë pensionistët e pensionistet e qytetit e të fshatit, duke gënjyer për rritjen e pensioneve të tyre pa llogaritur shtrenjtimin e papërballueshëm për ta të energjisë elektrike, të ushqimeve bazë dhe të ilaçeve të parimbursueshme. PS kujton se Berisha ka dhunuar sipërmarrësit e këtij vendi, të mëdhenj e të vegjël, duke ndryshuar tetë herë ligjin për procedurat tatimore, nëntë herë ligjin për tatimin mbi të ardhurat, shtatë herë ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe gjashtë herë ligjin për akcizën. "Kjo është Shqipëria në rritje e Sali Berishës. Këto janë shifrat dhe faktet që nuk janë marrë as nga listat e statistikave tërësisht të deformuara, por as edhe nga nevoja për të deformuar një realitet, që është i prekshëm, i dukshëm dhe konkret", insistoi Rama.