Opozita: Berisha të dorëhiqej për të shmangur konfliktin e interesit
Opozita, gjatë seancës së djeshme parlamentare ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka dënuar qëndrimin e qeverisë për vrasjen e dëshmitarit kyç për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Ajo u shpreh se më e pakta që mund të bënte qeveria ishte të kërkonte ndjesë që nuk arriti të mbronte një dëshmitarë kyç dhe të mos sulmonte kryetarin e opozitës. Leskaj u shpreh se vrasja e Kosta Trebickës tashmë ka krijuar pasiguri në jetët e qytetarëve shqiptarë. “Kjo ngjarje shtoi mosbesimin e shqiptarëve ndaj drejtësisë. Qeveria, në vend që të kërkonte ndjesë, sulmoi liderin e opozitës. Sulmet ndaj opozitës nuk ua zgjidhin problemin, nuk ua garantojnë sigurinë e jetës qytetarëve. Sot shqiptarët janë të kërcënuar në jetën e tyre, për sa kohë nuk kanë mbrojtjen nga shteti. Vdekja e dëshmitarit e bën të pamundur luftën kundër korrupsionit dhe krimit”, - është shprehur Leskaj.
Në emër të grupit parlamentar të PS-së, Leskaj kërkoi që prokurorja e Përgjithshme të raportojë në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për ecurinë e hetimeve mbi vdekjen e Kosta Trebickës. Duke iu referuar tragjedisë së Gërdecit, Leskaj tha se Berisha duhej të kishte dhënë me kohë dorëheqjen, për të shmangur konfliktin e interesit.
Këtë deklaratë bëri dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend.
Berisha pranon për herë të parë dijeninë për trafikun e armëve
Kryeministri Berisha ka pranuar për herë të parë se ka qenë në dijeni për trafikun e armëve që ekzistonte midis Shqipërisë dhe Afganistanit. Duke dhënë informacion për Kosta Trebickën gjatë seancës së djeshme parlamentare, Berisha u shpreh se dëshmia e tij ia dha mundësinë që të ndërpresë kontratën për trafikun e armëve.
“Ajo që thoshte ai ishte një e vërtetë e padiskutueshme dhe më bëri mua të mundur t’u kërkoja autoriteteve përkatëse të ndërpresin plotësisht atë kontratë dhe t’i ofronim falas ato municione, qoftë nëpërmjet NATO-s, qoftë nëpërmjet Afganistanit”, - është shprehur Berisha. Më tej ai ka dhënë argumente se qeveria është e distancuar nga vdekja e Kosta Trebickës. Berisha, i cili vetëm pak muaj më parë e kishte cilësuar Trebickën mafioz, gjatë fjalës së mbajtur mbrëmë në Kuvend e ka cilësuar atë një qytetar të përgjegjshëm. Berisha gjithashtu ka kujtuar dhe dëshminë e Trebickës, i cili njëherë deklaroi se kishte takuar djalin e kryeministrit, por më pas u tërhoq nga kjo dëshmi. “Së dyti, rastisi që në një telefon, një interlokutor i tij kishte deklaruar se ishte kryeministri dhe djali i kryeministrit. Ai në të vërtetë qartësoi pas takimit se cili qe qëllimi i tij. Ai nuk pranoi atë që donit ju”, - është shprehur Berisha.
Më tej, Berisha, duke iu referuar hetimeve, tha se deri tani nuk ekziston asnjë variant tjetër përveç versionit të aksidentit. Ai gjithashtu ia ngarkoi prokurorisë përgjegjësinë e mosmarrjes në mbrojtje të dëshmitarit Trebicka.
Gjini: “Të zbardhet deri në fund vrasja e Azem Hajdarit”
Deputeti i Partisë Demokristiane, Frrok Gjini, ka kërkuar dje nga qeveria të zbardhë vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare Gjini i kujtoi PD-së premtimin e bërë shqiptarëve për zbardhjen e kësaj vrasjeje, e cila ende mbetet mister. Ai theksoi se kjo vrasje është trajtuar në mënyrë të zakonshme ndërkohë që mbetet një vrasje e pastër politike. “Më vjen turp që nuk iu kushtuan dy llafe për të ndjerin Azem Hajdari. Ne bashkë kemi protestuar gjatë asaj kohe kur Azem Hajdari u vra. Ju ua keni premtuar shqiptarëve që do ta zbardhni ngjarjen. Ajo u trajtua shumë si një ngjarje ordinere, ndërkohë që ne e dimë se është vrasje e pastër politike. Kur ishim në opozitë ia vumë gishtin Fatos Nanos, Namik Dokles, Skënder Gjinushit etj. Nuk e di pse nuk na dolën vrasës këta. Unë i drejtohem sot ministrit të Drejtësisë për ta hetuar këtë çështje dhe për ta zbardhur”,- është shprehur deputeti Gjini.
16 Shtator 2008