Fini: Zgjedhje legjitime, jo kontestim rezultati

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare te 28 qershorit, nuk duhet te kontestohet dhe dialogu duhet te nise sa me pare ne Parlament. Keshtu u shpreh dje, kryetari i Parlamentit italian, Gianfranco Fini, gjate takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. "Nuk eshte vetem opinioni i Italise, por i te gjithe komunitetit nderkombetar se zgjedhjet ne Shqiperi u zhvilluan ne legjitimitet maksimal dhe rezultati i zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet te kontestohet dhe per kete arsye, urojme qe sa me shpejt jeta demokratike shqiptare te hyje ne normalitet te plote, sigurisht brenda Parlamentit", u shpreh Fini ne kulmin e bojkotit te opozites socialiste ne Kuvend, e cila edhe pas tre muajsh, vijon te mos pranoje te hyje ne Parlament. Sipas Finit mes paleve politike, duhet te nise sa me pare dialogu, i cili duhet te zhvillohet ne Parlament, duke mos justifikuar keshtu bojkotin e deputeteve socialiste. "Gjate takimit, i shpreha zonjes Topalli, kenaqesine time personale per rezultatin e zgjedhjeve elektorale ne perfundim te nje fushate shume transparente dhe ne respekt te plote te ligjeve dhe rregullave nderkombetare, zgjedhje nga te cilat u krijua qeveria e re shqiptare dhe qe rikonfirmuan zonjen Topalli ne krye te parlamentit",-tha Fini. Ne kete kuader, kreu i Parlamentit italian shprehu bindjen e forte te qeverise italiane per domosdoshmerine qe procesi i nisur i Shqiperise, per nje anetaresim te plote e te shpejte ne Bashkimin Evropian, jo vetem te mos hase pengesa, por te permbyllet ne nje kohe sa me te shkurter. "Kjo eshte ne interes jo vetem te Shqiperise, por edhe te Evropes. Italia mund t'i tregoje te gjithe Evropes sa e rendesishme eshte qe Shqiperia te behet anetare me te drejta te plota e familjes evropiane, pasi marredheniet mes dy vendeve tona jane tregues se nese Shqiperia integrohet ne institucionet evropiane ashtu sic po ndodh, eshte me e lehte te perballojme se bashku luften kunder kriminalitetit, emigracionit klandestin etj", theksoi Fini. Sipas tij, bashkepunimi mes dy vendeve tona, eshte nje prove se interesi eshte reciprok, pra nuk eshte vetem interes i Shqiperise, por edhe i te gjithe Evropes qe Tirana sa me shpejt dhe ne menyre te plote te behet anetare me te drejta te plota e familjes evropiane. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vleresoi faktin qe Italia ka qene gjithnje nje avokate e Shqiperise, deshmi e se ciles eshte edhe vota pro ne 16 nentor si dhe mbeshtetja e rezolutes se Parlamentit Evropian qe vlereson zgjedhjet e 28 qershorit dhe progresin e Shqiperise.