E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

Prishtinë (Start) - Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi priti sot në një takim Ministren e Drejtësisë së Finlandës Tuija Brax. Fillimisht në këtë takim Ministrja Kelmendi, në emër të Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka shprehur falënderimin për popullin dhe qeverinë Finlandeze për angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që i ofruan Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në mes dy ministrive, sidomos për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, për këmbimin e përvojave, për planet e përbashkëta, për të ardhmen e afërt, të dy ministrive, si dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Gjithashtu, në këtë takim është diskutuar edhe për shtrirjen e Misionit të EULEX-it në Kosovë, për respektimin e ligjit, për luftimin e korrupsionit, për mbrojtjen e dëshmitarëve, si dhe për çështje tjera që ndërlidhen me drejtësinë.

Ministrja Kelmendi e ka njoftuar homologen e saj edhe me kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë, me punët që kryen MD-ja, me planin strategjik të MD-së, si dhe me të arriturat, me sfidat dhe me vështirësitë me të cilat ballafaqohet Ministria e Drejtësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Edhe në këtë takim Ministrja Kelmendi theksoi se Institucionet dhe populli i Republikës së Kosovës e kanë mirëpritur Misionin e Bashkimit Evropian, në Kosovë, EULEX-in, por duan që ky Mision të funksionoj në të gjithë territorin e Kosovës.

Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë së Finlandës Tuija Brax i premtoi Ministres Kelmendi bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë duke theksuar se Finlanda është e gatshme ta mbështesë dhe ta përkrah Ministrinë e Drejtësisë me qëllim të zhvillimit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Të dy Ministret e Drejtësisë u pajtuan se do të angazhohen maksimalisht që ta thellojnë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Finlandës në fushën e drejtësisë, gjithçka çfarë do të konsiderohet e nevojshme, e domosdoshme, e dobishme të punohet së bashku, sidomos në fushën e hartimit të legjislacionit, pastaj në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, korrupsionit, etj..

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›