E Diel, 1 Nëntor 2026

Finlanda, e përkushtuar për përkrahjen e Kosovës në të gjitha proceset

Sot, ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku priti në takim delegacionin e kryesuar nga nënsekretarja e Shtetit Finlandez, Anne Sipiläinen, e cila është përgjegjëse për bashkëpunimin dhe zhvillimin e politikave për Qeverinë Finalandeze. Në takim u diskua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve; subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe në veçanti avancimin e perspektivës Evropiane të Kosovës.Progresi i Kosovës në kuadër të përmbushjes së kritereve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ishte tema që u shtjellua në detaje. Në aspektin e proceseve të zhvillimit dhe kooperimit, Finlanda e konsideron Kosovën shtetin më të rëndësishëm partner në Ballkanin Perëndimor, prandaj edhe interesimi i delegacionit Finalndez ishte që të identifikohet dhe të sigurohet mbështetja e duhur për Kosovën për të avansuar sa më shumë në rrugën drejt integrimit në BE.

Ministrja Çitaku informoj delegacionin mbi progresin në katër fushat e identifikuara në Studimin e Fizibilitetit për fillimin e negocimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe për rekomandimin e shteteve anëtare që dialogu i MSA-së të fillojë. Ajo vazhdoi për të thënë se “kjo e përmbushë një premtim të vjetër për një perspektivë Evropiane për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e sajë. Dhe se, ne e dimë që ky është vetëm një fillim dhe mbetet shumë për të bërë, por duke e parë përgatitjen dhe punën tonë për të përmbushur kriteret afatshkurtëra në këta muajt e fundit unë mbetem jashtëzakonisht optimiste”. Ministrja poashtu nënvizoi përkushtimin e Qeverisë dhe tha se tani mbetet në dinamiken e punës së institucioneve të Bashkimit Evropian që sa më parë të japin mandatin negociues Komisionit Evropian.

Nënsekretarja Sipiläinen theksoi se ajo dhe Qeveria Finlandeze janë të bindur që sipas kësaj dinamike të punës, institucionet e Kosovës do të fillojnë së shpejti negociatat për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi, si dhe shprehu përkushtimin e sajë dhe të shtetit të Finlandës për të vazhduar përkrahjen për Republikën e Kosovës, në të gjitha proceset. Poashtu, znj. Sipiläinen vlerësoj lartë angazhimet e Ministrisë së Integrimit drejt koordinimit të donatorëve në pjesën veriore të Kosovës.

Çitaku falenderoj znj. Sipiläinen për përprahjen e zhvillimit institucional të Ministrisë së Integrimit, me ç’rast gjatë javëve në vijim 10 zyrtarë të MIE-së do të zhvillojnë një vizitë studimore në institucionet e Finlandes. Poashtu, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Finlandes janë dakorduar për të zbatuar një projekt binjakëzimi në vlerë prej 1 milion EURO, me përkrahjen e Komisionit Evropian, për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në shfrytëzimin e fondeve të BE-së./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›