Shansi/PS mund të tregojë sot në parlament se është për reformat, duke miratuar ligjin për Gjykatën Administrative
Nismat ligjore të PS-së, do të trajtohen sot nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar, ndërkohë që në rendin e ditës është edhe ligji për Gjykatën Administrative. Burime pranë PS-së, bëjnë me dije se deputetët e opozitës, do jenë sot në Kuvend.
Për të bërë të mundur edhe afrimin e opozitës, kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli do të paraqesë një projektvendim të veçantë, për pretendimet e opozitës, që do të miratohet sot pasdite.
Por miratimi i projektvendimit është pika e fundit e rendit të ditës dhe rrjedha interesante e punimeve të Parlamentit do të përcaktohet që në fillim të seancës.
Mazhoranca ka vendosur në kalendar si pikën e parë të rendit të ditës miratimin e projektligjit për ngritjen e gjykatës administrative, një iniciativë që ka mbetur e pa miratuar për shkak të mungesës së kuorumit të 84 votave në Parlament.
Pas bërjes së betimit të deputeteve të opozitës, mazhoranca e konsideron miratimin e këtij ligji, të kërkuar me ngulm nga biznesi, si një provë për opozitën, edhe për shkak se gjykata administrative është një kusht ende i paplotësuar për liberalizimin e vizave.