E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fino: Grevë derisa të hapen kutitë

Socialistët do të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesës së tyre për transparencë të zgjedhjeve. Deputeti Bashkim Fino ka bindjen e plotë se këtë herë socialistët do të largojnë qeverinë, pasi, sipas tij, Kryeministri e ndërkombëtarët këtë herë do të kenë të gjitha arsyet për të marrë shpejt një vendim. Mendoj që do kenë arsyet që Kryeministri, qeveria, faktori ndërkombëtar të marrin një vendim sa më të shpejtë në këtë situatë. Nuk mendoj se dhe kjo do të bjerë në vesh të shurdhër, përndryshe përgjegjësia do të jetë e tyre për jetën e deputetëve, të anëtarëve të PS-së, - theksoi z. Fino. Ai foli edhe për koncertin festiv që mazhoranca do të organizojë në sheshin Nënë Tereza. Ai tha se kjo nuk do të pengojë socialistët të vazhdojnë protestën e tyre para Kryeministrisë, ndërsa shtoi se nuk beson se do të ketë përplasje mes policisë dhe protestuesve. Ne do vazhdojmë punën tonë para Kryeministrisë. Ne nuk kemi punë me koncertin. Ne kemi punë me Kryeministrin, me këtë godinën tjetër të Parlamentit shqiptar ku deputetët e këtij Parlamenti janë në grevë për të kërkuar një të drejtë të tyre legjitime, transparencën e zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk besoj se policia do ndërmarrë një masë ekstreme se do përplaset me protestuesit dhe e humbur do dalë ajo, jo ne, - u shpreh Bashkim Fino.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›