Brukseli, qendra për zgjidhjen e krizës

Kriza politike transferohet në Bruksel
Deputetët e majtë dhe të djathtë përballen sot për zgjidhjen e krizës
TIRANË- Brukseli do të jetë tashmë qendra kryesore për zgjidhjen e krizës politike shqiptare, duke parë që aktorët politikë vendas nuk kanë mundur ende që të arrijnë në një kompromis politik midis tyre.
Komiteti Ndërparlamentar i Stabilizim- Asociimit ndërmjët Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, që do nisë ditën e sotme do të vërë përballë njëra -tjetrës, opozitën dhe mazhorancën për t'u njohur dhe për të shqyrtuar argumentet e qëndrimet e palëve mbi situatën politike në Shqipëri. Depuetët e opozitës do të paraqesin në Bruksel gjendjen politike si dhe ngujimin në grevën e urisë të 20 deputetëve si dhe 180 protestuesve të majtë.
Dy deputetë socialistë, Arben Malaj dhe Taulant Balla ndërprenë grevën e urisë para dy ditësh, për t'iu bashkëngjitur delegacionit që do të përfaqësojë opozitën në diskutimet e Komitetit të Stabilizim- Asociimit.
Takimi, i cili do të zhvillohet përgjatë këtye dy ditëve do të vërë përballë dy forcat politike për të bërë të mundur zgjidhjen e ngërçit politik, që tashmë sipas deputetëve socialistë zyrtarët e Brukselit duhet të flasin qartë dhe prerë për zgjidhjen e krizës politike përmes hapjes së kutive të votimit.
Ndërkohë që pritet ky ballafaqim midis palëve politike, secila prej tyre ka përgatitur materialet përkatëse. Kështu bëhet e ditur se eksponentët e mazhorancës kanë përgatitur një material të gjatë që i referohet historikut dhe procesverbaleve parlamentare mbi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 Qershorit. Ndërsa opozita nga ana e saj, ka përpiluar dokumentet mbi kërkesën për hetimin parlamentar të zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit.
Shumica në pushtet do të përfaqësohet në këtë takim të Komitetit Stabilizim- Asociimit, nga deputetët; Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi, si dhe me zëvendësuesit; Arenca Trashani, Gert Bogdani, Shrefedin Shehu dhe Edmond Spaho. Përsa i përket grupit të opozitës ata do të do të përfaqësohen nga: Arta Dade, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja si dhe me zëvendësuesit; Mimi Kodheli, Eduart Shalsi dhe Besnik Bare.
Kryetari i këtij komiteti i përket mazhorancës dhe është deputeti Fatos Beja, ndërkohë që nënkryetari do të jetë i opozitës që mund të jetë deputetja Arta Dade.
Përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës do të duhet gjithashtu t'u përgjigjen edhe pyetjeve nga eurodeputetët për situatën politike në Shqipëri dhe mënyrat e zgjidhjes së saj.
Këto diskutime do të zhvillohen në datat 3 dhe 4 maj ndërsa një ditë më pas, nis seanca plenare e Parlamentit Evropian ku do të miratohet edhe rezoluta për Shqipërinë, e cila do të vërë piketat kryesore për zgjidhjen e krizës politike duke iu ngarkuar detyra përkatëse si mazhorancës ashtu dhe opozitës.