Socialistët lokalë, miliona shpenzime për protestën
Listat e përpiluara nga drejtuesit e institucioneve dhe me urdhër të selisë së PS-së, zyrtarët kanë lënë punën e të nisen për Tiranë
Disa qindra zyrtarë të administratës lokale në ato bashki e komuna që drejtohen nga socialistët, janë detyruar me urdhër të marrin pjesë në protestën që kreu opozita të premten në Tiranë. Nëpërmjet listash të përpiluara nga drejtuesit e këtyre institucioneve dhe me urdhër prej selisë së PS-së, zyrtarët janë detyruar të lënë punën e të nisen për Tiranë me autobusë të vendosur në dispozicion të pjesëmarrësve. Ndërkaq, nga komuna e bashki pak më larg Tiranës, qytetarët në nevojë nuk kanë pasur asnjë mundësi të marrin shërbimet e nevojshme prej zyrtarëve lokalë, pasi dyert e tyre ishin të kyçura. Disa prej kanaleve televizive në Tiranë dëshmuan nëpërmjet pamjeve vizive presionin e PS-së mbi administratën publike, për të shtuar në mënyrë të dhunshme pjesëmarrjen në protestë. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës është vendosur plotësisht në dispozicion të protestës së PS-së. Punonjës të ndërmarrjeve të gjelbërimit kanë lënë punën dhe janë bashkuar me militantët, ndërsa ashtu si në muajin nëntor, disa prej tyre janë përzgjedhur përkundrejt pagesës të bëjnë dezhurnin e radhës pranë çadrave apo në çadra. Ndërkaq, dekori i Tiranës, një ndërmarrje edhe kjo e bashkisë që paguhet me buxhetin e shtetit, prej së martës është vendosur plotësisht në dispozicion të selisë së PS-së për shkrimin e parullave, të cilat po ashtu u vendosën në shesh e bulevard nga punonjësit e këtij dekori. Me miliona lekë është dëmi në buxhetin lokal nga protesta e PS-së, pa llogaritur orët e punës së shumë drejtorëve dhe punonjësve të kësaj bashkie që lanë punën dhe u përfshinë në stafin e protestës dhe të grevës së urisë. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prej dy ditësh ka vështirësuar jetën e banorëve të kryeqytetit, ka bërë vetëm një gjë të mirë. Ka mbledhur të gjithë qentë duke i vrarë ose izoluar larg Tiranës në mënyrë që të mos mblidhen në qendër atje ku mbështetësit e grevës, edhe pse pak në numër, hedhin ushqimet jashtë. Në protestën e nëntorit, qentë shkaktuan një problem të madh me prezencën e tyre në mes të protestuesve.