E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha dhe Topalli ndjekin situatën nga zyrat e tyre

Protesta e opozitës.


TIRANË-Kryeministri Sali Berisha dhe kreyparlamentarja Jozefina Topalli ndryshe nga herët e tjera kanë shmangur dje çdo moment pushimi familjar, pasi kanë ndjekur nga zyrat e tyre të punës protestën dhe ecurinë e grevës së urisë të protestuesve e deputetëve të majtë. Jozefina Topalli ka qenë e pranishme në zyrë që në mëngjes, e cila herë pas here ka ndjekur nga dritarja e zyrës së saj situatën e protestës së opozitës.


Ndërsa Kryeministri Berisha është përpjekur ta legjitimojë ditën e djeshme përmes angazhimit politik duke takuar kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), Ali Ahmetin.


Dita e dielë për krerët e shtetit shqiptar është zyrtarisht ditë pushimi, por ata dje vendosën që ta thyejnë këtë rregull, duke qenë prezent në zyrat e tyre të punës, me qëllim vëzhgimin e situatës së protestës së Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj.


Megjithatë, shndërrimi i ditës së pushimit në një ditë pune nga ana e qeveritarëve të mazhorancës duket më shumë si një përgjigje mospërfillëse ndaj kërkesave të opozitës, por edhe një interesimi për ecurinë e protestës së saj.


Si për të legjitimuar ditën e djeshme Berisha priti në zyrën e tij kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, të cilët diskutuan mbi çështjen e stabilitetit politik në Maqedoni si dhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.


Gjatë takimit me Ahmetin, kreu i shumicës në pushtet theksoi se është mjaft e rëndësishme zbatimi dhe konsoldimi i mëtejshëm i marrëveshjes së Ohrit, ndërsa vuri në dukje se qëndrueshmëria dhe integriteti i Maqedonisë është mjaft jetik për stabilitetin dhe paqen në rajon.


"Qëndrimi i Shqipërisë, qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare është dhe mbetet i pandryshuar, paqja, stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë për paqen dhe stabilitetin e rajonit.


Sikundër konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kur them këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.",- tha dje Berisha.


Ndërsa Ahmeti vuri në dukje se Shqipëria është një lobuese e fortë dhe se integrimi i Maqedonisë në Aleancën e Atalantikut të Veriut është një garanci për rritur sigurinë dhe stabilitetin në këtë vend por edhe për rajonin në tërësi.


"Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë që Maqedonia sa më më parë të jetë anëtare e NATO-s, të mos jetë akoma më larg e shkëputur nga Karta e Adriatikut, sepse nga Karta e Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia janë në NATO dhe të gjitha angazhimet ne i bëjmë në këtë drejtim, që sa më parë Maqedonia të zërë vendin e merituar, sepse duke qenë në NATO kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi",- u shpreh Ahmeti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›