E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma, Topi dekreton qeverinë e re

Qeveria e re pritet të kalojë tashmë provën formale të miratimit në Kuvendin e Shqipërisë


"Mediu ministër? Ky është ekskluzivitet i propozuesit, që në rastin konkret është Kryeministri"


TIRANË- Ka marrë fund dilema e dekretimit të qeverisë së re. Kreu i shtetit Bamir Topi ka dekretuar dje në mesditë kabinetin e ri qeveritar "Berisha 2", duke i hapur rrugë tashmë miratimit të tij në Kuvend.


Ashtu siç edhe pritej Presidenti i Republikës nuk ka surprizuar me dekretin e tij, duke dhënë pëlqimin e tij për të gjitha emrat e propozuara nga kryeministri Sali Berisha të enjten e shkuar, pavarësisht se në këtë listë bënin pjesë edhe ministra që janë në gjykim nga organet e drejtësisë për akuzat e korruspionit dhe shpërdorimit të detyrës.


Dekreti


Presidenti i Republikës duke mos dashur të bëhet pengesë për vënien në punë të qeverisë së re dhe pavarësisht rezervave që mund të ketë pasur për emra të caktuar, ka miratuar dje, dy ditë para se të konsumonte të gjithë afatin kushtetues prej shtatë ditësh, kabinetin e ri qeveritar të propozuar nga kryeministri i rimandatuar prej tij Sali Berisha.


Por para shpalljes së dekretit të tij presidencial, Topi ka shfrytëzuar praninë e tij në shkollën nëntëvjeçare "Servete Maçi" ku ka kryer edhe vet arsimin fillor, për të bërë të qartë megjithëse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë përgjegjësinë për emrat e ministrave që I ishin propozuar për dekretim, pavarësisht nëse plotësonin apo kriteret morale dhe ligjore.

Kështu ai është shprehur se ishte I detyruar për shkak të kushtetutës që të miratonte propozimet e ardhura nga kryeministri dhe se përgjegjësia për çdo emër i përkiste këtij të fundit. Kështu, I pyetur lidhur me dekretimin e emrit të Ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu, si një person që është në gjykim nga drejtësia, Topi u përgjigj "Natyrisht ju e dini që në Shqipëri pushtetet janë të ndara.


Sikurse jam shprehur edhe në shumë momente të tjera, preokupimi im kryesor është që të mos devijoj për asnjë çast nga zbatimi i neneve të Kushtetutës, i gjithë kuadrit ligjor që rregullon aktivitetin e Presidentit në raport edhe më çështjen në fjalë.


Çka do të thotë që në të gjithë procesin tim të dekretimit unë i referohem në mënyrë shumë rigoroze detyrimit kushtetues, ndërsa përsa i përket çështjes së këndvështrimit politik edhe moral, natyrisht që ky është një ekskluzivitet i propozuesit, që në rastin konkret është Kryeministri".


Qeveria


Qeveria e re që pritet të kalojë tashmë provën formale të miratimit në Kuvendin e Shqipërisë do të ketë 17 portofole përfshi këtu edhe atë të kryeministrit Sali Berisha.


Megjithatë anëtarë të këtij kabineti të ri qeverisës do të jenë vetëm 16 persona, pasi dy nga postet kryesore në të, atë të zëvendësministrit dhe ministrit të Jashtëm do ti mbaj kryetari I LSI-së Ilir Meta.


Ndërkohë që pjesë e kësaj qeverie që pas pesë ditë shqyrtimi, ka marrë edhe bekimin e kreut të shtetit, do të jenë dhe një sërë emrash të rinj të cilët nuk kanë qenë në kabinetin e mëparshëm.


Kështu, përveç tre përfaqësuesve të LSI-së Meta, Prifti dhe Vasili, në të janë përfshirë për herë të parë edhe emra të tjerë nga radhët e PD-së, si Ferdinant Xhaferi që do të drejtojë kulturën, Arben Imami tek Mbrojtja, Spiro Ksera tek Ministrie e Punës, apo edhe Myqerem Tafaj tek Arsimi.


Nderkohë që edhe disa emra të rëndësishëm të kabinetit të mëparshëm kanë ndryshuar pozicion, siç është rasti I Nishanit që ka kaluar nga rendi tek drejtësia, i Bashës nga Ministria e Jashtme tek ajo e Mbrojtjes apo edhe I Rulit nga Ekonomia tek Bujqësia.


Tashmë qeveria e re duhet të paraqitet në seancë plenare në Kuvend për miratimin së pari të dekreteve presidenciale për çdo ministër dhe më pas edhe të programit të qeverisë. Megjithatë, pavarësisht ngutjes që u tregua nga mazhoranca për ta miratuar qeverinë e re në Kuvend ditën e djeshme, séance duket se është shtyrë për nesër, pavarësisht se për të nuk ka ende një vendim zyrtar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›