E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti: Numërimi shkoi keq në 22 qendra votimi

Sipas raportit, KQZ-ja, mënyrë të vazhdueshme vendosi që të mos ndërhyjë kur shikonte probleme, edhe pse kishte mundësi t'i monitoronte shumë lehtësisht ato


TIRANË - Ecuria e procesit të votimit dhe numërimit të votave ishte një tjetër kapitull i rëndësishëm, ku raporti i OSBE-ODIHR-it jo vetëm është përqendruar në mënyrë të detajuar, por në të njëjtën kohë, ka evidentuar edhe probleme.


Gjatë hapjes së qendrave të votimit, vëzhguesit vunë re një numër të madh rastesh kur materialet e votimit ishin të paplota, këtu përfshihen edhe rastet kur mungonte boja shënjuese ose kur ajo ishte krejtësisht e tharë.


Ata raportuan edhe kuti pa vulat përkatëse. Në shumë raste hapja e kutive të votimit nuk u bë sipas ligjit. Këto probleme, sipas raportit, sollën shqetësime serioze për procesin.


"Dy të tretat e kutive të votimit që u monitoruan u hapën me vonesë, që shkonte deri në 30 minuta", - thuhet në raport. Sipas vëzhguesve, procesi ishte i mirë në 92% të qendrave të vizituara, ndërsa rajonet me më shumë probleme ishin Vlora, Durrësi, Kukësi, Dibra dhe Korça. Tensione u vunë re në 4 për qind të qendrave të votimit dhe shpeshherë ato u krijuan nga aktivistët partiakë.


Vëzhguesit kanë vënë re një numër të madh shkeljesh procedurale në 29% të qendrave të votimit, ku më kryesoret ishin njerëz që u lejuan të votonin, edhe pse kishin gishtin e shënuar më parë ose njerëz që votuan pa u shënuar me bojë. Në 9% të qendrave nuk garantohej fshehtësia e votës, ndërsa sipas raportit, votimi familjar është kryer në 19% të qendrave të vëzhguara.


Numërimi


Raporti thekson se asnjë qendër votimi nuk mundi të mbyllë numërimin brenda afatit të vendosur për ditën e nesërme në 17.00. Sipas vëzhguesve, procesi i numërimit shkoi keq në 22 nga 66 qendra. Transparenca në procesin e numërimit ishte negative në 11 qendra.


"Përfaqësuesit e partive politike dhe vëzhguesit e pavarur u penguan të vëzhgonin në respektivisht 18 dhe 17 qendra. Në shumë raste kamerat nuk tregonin të dyja krahët e fletëve të votimit, si dhe nuk u regjistruan kontestimit e vëzhguesve", - thuhet në raport.



"Pasi u mësua një rezultat i ngushtë në votim, partitë politike nisën të ndërhyjnë në procesin e numërimit. Si rezultat, procesi u bllokua në disa qendra, veçanërisht në ato zona ku shpërndarja e mandateve do të bëhej për një numër të vogël votash", - vijon raporti.


Vëzhguesit kanë konstatuar se përfaqësuesit partiakë kanë bllokuar dhe vonuar procesin. Ata kanë konstatuar gjithashtu praninë e kandidatëve të ndryshëm në qendrat e numërimit, si dhe praninë e personave të paautorizuar në 49 qendra numërimi nga 66 që ishin gjithsej.


Në 21 qendra këta persona ndërhynë direkt në procesin e numërimit, ndërsa në 45 qendra u vu re tension. Në total, sipas raportit, u vunë re 38 raste parregullsish në verifikimin e materialit zgjedhor.


Në shumë raste të tjera kutitë kishin parregullsi ose procesi u bllokua nga komisionerët partiakë. Kur u dallua se numërimi i votave nuk ndryshonte rezultatin, procesi vijoi qetësisht. Problemet më serioze në numërimin e votave u vunë re në Fier.


"Përveç tre qendrave që nuk u hapën fare ditën e votimit, edhe nëntë kuti të tjera u shmangën nga numërimi. Edhe pse pesë kuti ishin numëruar, komisioni vendosi që të mos i përfshijë në rezultat. Pas shumë orësh tensione dhe probleme, kutitë u dërguan në KQZ.


Kjo ndodhi sepse në Fier ishte një mandat që diskutohej për shumë pak vota", - thuhet në raport. Fatkeqësisht, sipas raportit, KQZ-ja në mënyrë të vazhdueshme vendosi që të mos ndërhyjë kur shikonte probleme, edhe pse kishte mundësi t'i monitoronte shumë lehtësisht ato.


Në shumë raste inspektorët e KQZ-së nuk ishin të aftë të zgjidhnin problemet. Edhe pse u përdor sistemi i ri i numërimit, në shumë raste vota nuk dukej në kamera.


Berisha: Raporti, objektiv

TIRANË - Objektiv dhe të karakterizuar nga një vërtetësi e madhe. Kështu e ka cilësuar Kryeministri Sali Berisha raportin final të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet parlamentare në vendin tonë, publikuar dje pasdite.


Gjatë një konference për shtyp, posaçërisht për këtë raport, Berisha ka cituar pjesë të raportit ku nënvizohet progresi i bërë në zgjedhje, duke pranuar edhe rekomandimet për të metat dhe problemet e konstatuara.


"Ky raport karakterizohet nga një vërtetësi e madhe, vlerësim objektiv. Në fillim të këtij raporti theksohet se zgjedhjet shënuan progres thelbësor me regjistrimin e zgjedhësve, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e ankesave.


Ai thekson se zgjedhjet përmbushën shumicën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe thekson se nuk ka pasur prova për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve", - tha Berisha.


Ai deklaroi se raporti është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe në Evropë, duke pranuar se "natyrisht evidenton një seri të metash, shprehet qartë se zgjedhjet nuk shfrytëzuan përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.


Të gjithë rekomandimet do të shikohen me seriozitetin më të madh në programin e qeverisë sime, do konsultohen një nga një për të dhënë përgjigjen më të mirë", - tha më tej ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›