Elbasan, zjarri në plehrat e qytetit ndot gjithë zonën
Banorët e dy lagjeve po përballen me erën e keqe dhe tymin. I gjithë qyteti pa një makinë për përpunimin e plehrave
ELBASAN- Zjarri ka marrë përmasa në fushën e grumbullimit të mbeturinave në Elbasan dhe sipas specialistëve të zjarrfikëses, ai nuk mund të kontrollohet apo të fiket më për shkak se është transferuar në thellësi.
Prej dy ditësh banorët e lagjeve "Çlirimi" dhe "Emin Matraxhiu" janë duke jetuar me erën e keqe dhe tymin që ka përfshirë të gjithë pjesën jugore të qytetit të Elbasanit. Thatësira dhe era e këtyre ditëve e kanë përhapur zjarrin në të gjithë fushën.
Kështu ditën dhe natën në atmosferë shkarkohen pa pushim gazra dhe tymra helmues mjaft të dëmshëm për jetën e banorëve.
Fusha e konsideruar e tejmbushur nga mbeturinat tashmë është kthyer në një kodër plot me plehra dhe tym që vështirëson derdhjen e mbeturinave, është e pakontrollueshme dhe madje drejtuesit e mjeteve që nivelojnë plehrat janë dorëzuar pasi ky proces nuk luan asnjë rol për shkak të djegies së brendshme të mbeturinave.
Një prej tyre, Gëzim Haka, pohon se ka disa ditë që punon pa pushim me traktor bashkë me shokët e tij, por më në fund është mundur nga flakët. "Bashkë me përgjegjësin dhe punëtorët e tjerë po punojmë ditën dhe natën për të fikur zjarrin, por është shumë e vështirë. Zjarri është në thellësi dhe ndihmohet shumë nga era.
Nuk kemi çfarë të bëjmë, është tepër e vështirë. Kjo fushë nuk mban më asnjë makinë me plehra, ndaj duhen marrë masa për një fushë të re. Ndryshe qyteti kështu do të vuajë".
Fusha e plehrave në Elbasan është kthyer në ndotësin më të madh të këtij qyteti. Madje ajo ka lënë nga pas ndotjen e shkaktuar nga metalurgjiku dhe zona industriale.
Gjendja alarmante pranohet nga bashkia dhe këshilli i qarkut. Për këtë qëllim janë hartuar disa projekte të cilat ende nuk janë finalizuar. Kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, ka vënë në dijeni kryeministrin Berisha për rrezikun që paraqet fusha e plehrave në Elbasan.
Tashmë është hartuar një projekt por ai ka mbetur vetëm i tillë pasi investimi për një vendgrumbullim ose përpunim kërkon mbi një milion euro fonde, gjë që deri tani ka mbetur pa përgjigje. B. Nergjoni