E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e fushatës, KQZ miraton 27 ekspertët

Vetëm në nëntor, KQZ-ja dhe opinioni publik do të njihet me njerëzit që kanë mbështetur financiarisht partitë politike gjatë kësaj gare elektorale


TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar dje kontabilistët që do të kontrollojnë financimet dhe shpenzimet e kryera nga forcat politike për gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit.


Nëpërmjet një shorti të hedhur në prani edhe të medias, partitë politike pjesëmarrëse në garën e shkuar parlamentare mësuan emrat e personave që do të bëjnë auditimin e fondeve publike dhe jo publike të marra si financime gjatë zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Megjithatë vetëm në nëntor KQZ dhe opinioni publik do të njihet me njerëzit që kanë mbështetur financiarisht partitë politike gjatë kësaj gare elektorale.


Shorti


Referuar udhëzimit për përcaktimin e ekspertëve që do të bëjnë auditimin e fondeve të partive politike të përdorura për fushatë zgjedhore, KQZ-së I ishte vënë në dispozicion një numër prej 81 kontabilistësh të licencuar në ushtrimin e këtij profesioni nga Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Por vetëm 28 prej tyre kishin shprehur dëshirën pranë KQZ-së për të marrë pjesë në këtë proces auditimi.


Në këto kushte, duke qenë se numri 28 ishte më i madh sesa numri minimal prej 20 ekspertësh që parashikon ligji zgjedhor, KQZ zhvilloj dje procedurën e hedhjes së shortit për shpërndarjen e tyre për 34 subjektet zgjedhore që morën pjesë. Pavarësisht se një çështje teknike, mbledhja e djeshme e KQZ-së nuk i shpëtoi diskutimeve.


Kështu përfaqësuesi i PS-së në KQZ Genci Gjonçaj kërkoj shpjegime nga administrata lidhur me arsyet e mospërfshirjes në këtë short të një numri të madh ekspertësh të cilët pavarësisht se ishin vënë në dispozicion nga IEKA nuk merrnin pjesë në këtë shorte.


Por nga ana e administratës së KQZ u konfirmua se lidhur me këtë çështje nuk ky institucion nuk mund të detyronte ekspertët të merrnin pjesë në këtë proces, pasi çdo gjë varej në dëshirën e tyre.


Megjithatë sekretarja e përgjithshme e institucionit qendror të administrimit të zgjedhjeve ka bërë të ditur se për pjesën e kontabilistëve që merrnin pjesë në shorte ishin bërë të gjitha verifikimet e duhura konform përcaktimeve që bënë Kodi Zgjedhor dhe nga ku ishte arritur në përfundimin se të gjithë të interesuarit përmbushnin parametrat e duhura ligjore.


Megjithatë ajo nuk bëri të ditur se çfarë procedure ishte ndjekur nga ky institucion për verifikimin e konfliktit të interesit për lidhje të ndryshme me forcat politike apo me drejtuesit e tyre. Në përfundim KQZ-ja miratoi vetëm 27 ekspertë kontabël duke shkualifikuar Elsa Berberit, pasi ajo nuk ishte e liçensuar nga IEKA.


Pas hedhjes së shortit rezultoi që financimet dhe shpenzimet e Partisë Demokratike për fushatë do ti kryejë studioja "ALB BB Auditing SH.P.K", e cila rezulton të ketë kryer më parë edhe një auditim në Ministrinë Bujqësisë, raporti i të cilit është vlerësuar më pas i pasaktë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.


Ndërsa Partinë Socialiste do ta kontrollojë Mihal Ziu, ekspert kontabël anëtar i forumeve drejtuese të IEKA-s. Nga shorti rezultoi se disa ekspertë duhet të bëjnë auditimin e më shumë se një force politike.


Auditimi


Çdo subjektet zgjedhore në bazë të Kodit Zgjedhor ka pasur mundësi që për qëllime të fushatës së tyre të marrë fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas (partitë parlamentare kanë përfituar një shumë të konsiderueshme lekësh edhe nga buxheti i shtetit).


Në çdo rast shuma që një person fizik ose juridik ka pasur mundësi t'i ofrojë një subjekti zgjedhor nuk mund të ketë qenë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime, ndërsa ka qenë e ndaluar dhënia e fondeve nga personat që kanë përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, ushtron veprimtari në fushën e medies, apo ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme.


Pikërisht zbatimi i këtyre kritereve ligjore do të jenë objekt i punës së ekspertëve të cilët pritet të miratohen sot prej institucionit qendror të administrimit të zgjedhjeve.


Për këtë qëllim çdo subjekt zgjedhor është i detyruar ti vërë në dispozicion regjistrin e posaçëm me shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit.


Verifikimi i shumave të marra nga personat që kanë dhuruar më shumë se 100 mijë lekë të reja është edhe më i lehtë për tu verifikuar nga ekspertët përkatës, pasi për të gjitha këto raste veprimet janë bërë nëpërmjet numrave të llogarive bankare që partitë politike kanë publikuar edhe në faqen zyrtare të KQZ-së.


Por puna e këtyre ekspertëve nuk do të mjaftohet me kaq, pasi ata kanë për detyrë që të verifikojnë edhe shpenzimet e kryera nga partitë dhe kandidatët në fushatë.


Kodi Zgjedhor përcakton në këtë drejtim se një subjekt zgjedhor nuk mund të shpenzojë më shumë se 10-fishin e fondit të përfituar nga Buxheti i Shteti, një rregull ky që nuk duket se është zbatuar nga partitë politike. Për të gjitha veprimet dhe verifikimet e kryera në funksion të këtij procesi eksperti përgatitu një raport auditimi, i cili duhet ti paraqitet KQZ-së brenda datës 2 nëntor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›