E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli kërkon heqjen e imunitetit të Neranxit



Këshilli i Rregullores dhe Imunitetit ka vendosur të votojë në seancën e së enjtes të datës 23 prill për heqjen apo jo të imunitetit të deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi. Gjatë mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se Kuvendi duhet ta heqë imunitetin e këtij deputeti, ashtu siç bëri edhe për dy deputetët e tjerë, Basha dhe Mediu. Vetë Neranxi nuk ka qenë në mbledhje, por ka dërguar, në një letër, pretendimet e tij. Prokuroria ka depozituar disa javë më parë në kryesinë e Kuvendit kërkesën për imunitetin e Neranxit, duke e akuzuar për evazion fiskal, akuza që janë hedhur poshtë nga deputeti i LSI-së. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje mbledhjen e dytë për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi. Në këtë mbledhje, sipas Nenit 118 të Rregullores, deputeti Nikollaq Neranxi ishte njoftuar për të paraqitur shpjegimet tij me shkrim apo me gojë. Deputeti Neranxi nuk u paraqit në këtë mbledhje, por kishte depozituar një material me shkrim, që iu vu në dispozicion anëtarëve të Këshillit. Kryetarja e Kuvendit theksoi se në zbatim të Rregullores, Këshilli duhet të procedojë duke respektuar të njëjtin princip, i kthyer tashmë në standard të Kuvendit, si në çdo rast kur është kërkuar heqja e imunitetit për shkak të korrupsionit. Këshilli vendosi që të procedohet menjëherë me hartimin e draft-raportit që do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit. Sipas pikës 4 të Nenit 118 të Rregullores, kjo çështje do të jetë në pikën e parë të rendit të ditës në seancën plenare të datës 23 prill 2009.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›