E Diel, 1 Nëntor 2026

Firma e Bashës në librin e Sheferit

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Basha shprehu vendosmërinë e Qeverisë shqiptare dhe të gjithë faktorit politik dhe popullit shqiptar, për të ecur më tej në rrugën e reformave për të konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut”

Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan dje në selinë e NATO-s, në Bruksel, protokollet përkatëse të aderimit në Aleancë. Në fillim të ceremonisë së nënshkrimit të Protokolleve të Aderimit, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hop Shefer, e vlerësoi momentin si një arritje të rëndësishme, jo vetëm për të 2 vendet, por për tërë komunitetin e Aleancës Atlantike. Sipas tij, kjo është një arritje historike, jo vetëm për këto vende, por për të gjithë komunitetin Atlantik. “Shqipëria dhe Kroacia i janë përkushtuar këtij synimi. Shqipëria dhe Kroacia kanë zbatuar reforma të mrekullueshme ekonomike dhe politike dhe meritojnë anëtarësimin”, - u shpreh Shefer. Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni u angazhua për një vazhdim nga ana e Shqipërisë, e reformave të mëtejshme. Shqipëria, sipas tij, do të marrë përsipër tërë detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i plotë. Anëtarësimi i dy vendeve, sipas ministrit Basha, do të shërbejnë si një frymëzim për vendet e tjera të rajonit.
Deklarata
Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi ditën e djeshme si kurorëzimin e përpjekjeve të gjata dhe të vendosura të Shqipërisë në kuadër të integrimit. Sipas tij, është dashur një punë e gjatë dhe këmbëngulje si dhe ndihma e vyer e miqve dhe e partnerëve të Shqipërisë në Aleancë. Basha renditi më tej reformat e ndërmarra në Shqipëri. Sipas tij, gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj duke forcuar institucionet e saj demokratike dhe konsoliduar shtetin ligjor, duke i dhënë potenciale të reja zhvillimi ekonomisë dhe moderninizimit të Forcave të Armatosura. Basha shprehu vendosmërinë e Qeverisë shqiptare, dhe të gjithë faktorit politik dhe popullit shqiptar, për të ecur më tej në rrugën e reformave për të konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor, të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe për të ecur më tej drejt një ekonomie moderne dhe të zhvilluar, bazuar tërësisht në vlerat e tregut të lirë. “Do të doja të konfirmoja se Shqipëria pranon të gjitha detyrimet dhe angazhimet e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të plotësuar kërkesat e anëtarësimit në NATO, sikurse janë parashtruar në Studimin për Zgjerimin e NATO-s, të vitit 1995 dhe do të respektojë detyrimet dhe qëndrimet e evidentuara gjatë bisedimeve të fundit për pranim”, - tha ai. Kreu i Ministrisë së Jashtme tha se Shqipëria bën të vetin Konceptin Strategjik të NATO-s dhe synon të marrë pjesë plotësisht në strukturat ushtarake të NATO-s dhe planifikimin kolektiv të mbrojtjes si dhe do të vazhdojë të angazhojë forca dhe kapacitete për të gjitha misionet e Aleancës. Ai pohoi gjithashtu se Shqipëria merr përsipër që të shpenzojë burime financiare të mjaftueshme për zbatimin e angazhimeve të saj pas anëtarësimit në Aleancë dhe është e vendosur që të vazhdojë të ruajë të njëjtën përqindje në buxhetin e mbrojtes, në masën 2% të GDP.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›