E Diel, 1 Nëntor 2026

Të qeshësh me vdekjen, “The Bucket List” në Millenium II

Nicholson e Freeman, një listë me dëshira e fundit për “adoleshentët” 70-vjeçarë

Komedia prekëse e cila ka thyer tabutë e Hollivudit vjen tashmë edhe në Tiranë

Ditët e fundit në Kinema Millenium II në kryeqytet është shfaqur komedia e suksesshme “The Bucket List”, e cila shikon si protagonistë dy diva të aktrimit; Nicholson e Freeman. Të qeshësh me vdekjen kur ajo vjen dhe të thotë se pak muaj kanë mbetur nga jeta... Duket e vështirë, aventureske dhe çmenduri, por ja që nuk është e pamundur të bëhet edhe krejt natyrshëm, madje në mënyrën më spontane. Ndodh, jashtëzakonisht rrallë, por është një fakt në “The Bucket List” filmi që bashkon në ekranin e madh tre “ujqër” të vjetër të kinemasë amerikane; dy prej tyre në rolet e protagonistëve, aktorët Morgan Freeman dhe Jack Nicholson, kurse i treti në rolin e regjisorit, Rob Reiner, i njohur me filmat “Stand by me” dhe “When Harry met Sally”. Ishte pikërisht ai që vendosi ta shndërronte historinë në film pasi kishte përfunduar së lexuari faqen e dhjetë të skenarit ku njëri prej personazheve i pyetur se çfarë është duke bërë në një dhomë spitali përgjigjet: “Po luftoj për jetën. Po ju?”. Ajo që Rajner kishte lexuar në faqet e para ishte një prezantim direkt i dy personazheve dhe fatit të tyre. Eduard Kol është pronar i madh klinikash, ndërsa Karter Cambers është një mekanik makinash. Të dy gjenden në një dhomë spitali mjaft të sëmurë. Kanë fare pak muaj jetë dhe mendojnë që t’i jetojnë në maksimum. Ndaj përgatisin një listë dëshirash mbi gjërat që nuk kanë mundur apo guxuar t’i bëjnë në jetë. Por në fakt “tre ujqërit” e vjetër e shndërruan skenarin fillestar nga një histori melodramatike, një komedi me emocion dhe të qeshura. “Është një recetë e saktë- shkruan shtypi- merren dy nga aktorët më në zë të kinemasë që janë ende gjallë, vihen në role që u përkasin pikërisht atyre, raportojnë për kuptimin e jetës e të vdekjes, mes bilacenve ekzistenciale dhe reflektimeve filozifike dhe, gjithçka lihet të ecë vetë. Rezultati maksimal nga një sforcim minimal.” Është vërtet një film të cilin ja vlen ta ndjekësh!

Parku Arkeologjik

Audio-guidë trigjuhëshe për Apoloninë

Audio-guida moderne në tri gjuhë, anglisht-frëngjisht dhe shqip do të jenë së shpejti në duart e turistëve dhe vizitorëve të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë. Lajmin e bën të ditur për mediet dretori i parkut të Apolonisë z.Haxhimihali i cili shpjegon se, veç fletëpalosjeve, personelit, etj., guida ishte një shërbim i rëndësishëm i munguar për turistët, që tashmë do ta plotësojë më së miri këtë shërbim. Gjatë 2007-s Apollonia ka pasur një numër rekord turistësh, që mendohet të ketë kaluar 25 mijë vizitorët. Për vetë pozicionin gjeografik (12 km larg nga qyteti i Fierit) dhe infrastrukturën e mirë, në krahasim me parqe të tjera, kjo qendër është më e preferueshme për t’u vizituar.

Mbrëmja

Rumunët kërcejnë këndojnë serenatat e Jugut dhe kërcejnë vallet e Veriut në Pallatin e Kulturës

Ka qenë rastësia e cila bëri që një videokasetë me serenata e këngë popullore shqiptare të binte në duart e një grupi rumun, që këta të fundit të mendonin për të shfaqur një koncert në Tiranë.
Grupi “Serenada” me artistë rumunë me origjinë shqiptare ka magjepsur publikun në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me një mbrëmje vallëzimi e serenatash dashurie. Grupi rumun me 3 këngëtarë e 8 kërcimtarë të talentuar në përbërjen e tij, para kryeqytetit ka zhvilluar edhe një tur nëpër rrethe. Programi ka përfshirë serenatat e Jugut dhe vallet me motivet e Veriut.
Grupi rumun “Serenada” deri tani ka 30 serenata të regjistruara dhe 6 albume nga të cilat 3 në rumanisht dhe 3 në shqip.

Mesazhi

Presidenti Topi ngushëllon familjarët për humbjen e artistit Tonin Ujkaj

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka ngushëlluar nëpërmjet një mesazhi familjarët e artistit dhe ish-deputetit Tonin Ujkaj, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme. “Të dashur familjarë të të ndjerit Tonin Ujkaj, -shkruan Topi, me hidhërim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të dashur. Në këtë ditë shumë të dhimbshme kujtojmë jo vetëm artistin e talentuar të skenës dhe kinematografisë shqiptare, ish-deputetin, ish-kolegun tim të nderuar, por edhe shokun dhe mikun tonë fisnik, Toninin, njeriun me zemër të madhe e shpirtgjerë për të gjithë ne që kemi patur fatin ta njohim nga afër e të ndajmë me të momente të veçanta e të paharrueshme.
Ai do të kujtohet gjithnjë si një njeri, i cili ia kushtoi veprimtarinë e vet artit dhe popullit të tij duke u vënë në shërbim të qytetarëve dhe interesave të tyre. Më lejoni të ndaj me ju ngushëllimet më të sinqerta e t’ju gjendem shpirtërisht pranë në këtë moment dhimbjeje për humbjen e pazëvendësueshme të njeriut tuaj të shtrenjtë!”

TIRANA JAZZ FESTIVAL mbyll ditët kryeqytetase

Pas suksesit të vitit të kaluar është mbyllur duke u pritur po kaq mirë nga publiku, edhe për këtë vit, Festivali Ndërkombëtar i Xhazit “Tirana Jazz Festival”. Në ekskluzivitetin e regjistrimit të Vizion Plus dhe me ndihmën e sponsorave të tjerë, festivali është zhvillur për mese një javë në ambjentet e Hotel Sheraton në Tiranë. Drejtuesi artistik, intrumentisti Fatos Qerimaj thotë se ka mbetur i kënaqur, e gjithashtu edhe të ftuarit dhe publiku pjesëmarrës. Ndër të tjera, objektiv i këtij festivali është që veç organizimit të një aktiviteti serioz i cili pasuron jetën kulturore të metropolit, të arrijë të bëjë edhe shkëmbim ndërkulturor të eksperiencave, si dhe vendosje të kontakteve mes artistëve e grupeve të njohura të muzikës xhaz. E çka është më e rëndësishmja, e gjitha kjo zhvillohet këtu, fare pranë nesh në Tiranë. Gjashtë ditët e festivalit kanë sjellë në skenë grupe dhe instrumentalistë të njohur si Clementine Gasser, pianistin dhe kompozitorin nga Philadelfia,(SHBA) Tim Story, klarinetistin dhe kompozitorin e njohur shqiptar Fatos Qerimaj, legjendën gjermane të muzikës elektronike Hans-Joachim Roedelius, grupin Leda Atomica, i cili ka në përbërje artistë, këngëtarë e instrumentistë që performojnë zhanre të ndryshme, etj.
P. GROSI

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›