E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stamboll, sulmohet Konsullata Amerikane, 6 të vdekur

Të vrarë mbetën tre oficerë policie dhe tre terroristë

Një atentat me armë ka ndodhur në Konsullatën Amerikane në Stamboll të Turqisë, ku si pasojë mbetën të vrarë gjashtë persona dhe u plagosën dy të tjerë. Ngjarja ndodhi në orën 11 të paradites me orën lokale kur persona të armatosur, të cilët ndodheshin brenda një makine të bardhë sulmuan ndërtesën e konsullatës, duke vrarë tre oficerë policie. Dy nga oficerët e policisë vdiqën në spital, ndërsa njëri në vendngjarje. Zjarrit iu përgjigjën forcat e policisë duke vrarë tre terroristë që gjendeshin brenda në makinë. Megjithatë, shoferi i makinës arriti të shpëtojë dhe në ndjekje të tij u vunë makina të shumta policie dhe helikopterë. Sulmi u konsiderua si akt terrorist nga kryeprokurori i Stambollit, megjithatë asnjë organizatë nuk e ka marrë përsipër atentatin. Sulmuesit ishin të moshës 20-25 vjeç dhe përdorën armë automatike si dhe pistoleta dore. Motivi i sulmit është ende i paqartë. Po kështu nuk përcaktohet nëse sulmuesit kishin lidhje me ndonjë grup konkret terrorist. Zyrtarë të ambasadës amerikane në Ankara bënë të ditur se asnjë person nga stafi i tyre nuk ka mbetur i plagosur në këtë sulm që ndodhi në hyrje të portave të Konsullatës së Stambollit. Në vendngjarje mbërritën menjëherë guvernatori i Stambollit, kryeprokurori i zonës dhe ministri i Mbrojtjes. Për arsye sigurie pas 11 shtatorit konsullata amerikane ne Stamboll ishte vendosur në një kodër në periferi të qytetit. Po kështu ndërtesa ishte e mbrojtur me mure të lartë. Turqia ka disa grupime të armatosura që shpesh kryejnë sulme si maoistët, separatistët kurdë apo militantët islamike me lidhje me Al Kaedan. Incidenti më i rëndë ka ndodhur në nëntor të 2003-shit, kur 62 vetë u vranë nga dy sulme në dy sinagoga, në një bankë dhe në konsullatën britanike. Turqia është aleati më i fortë ushtarak i Uashingtonit në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme, e megjithatë amerikanët vazhdojnë të shprehin habinë se përse interesat e tyre bëhen objekt sulmi në mjaft vende të botës.

Maqedoni, asgjësohen rreth 1000 armë ilegale

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka asgjësuar dje rreth 1000 armë të paligjshme të sekuestruara në periudhën e kaluar me rastin e 9 korrikut, Ditës botërore të shkatërrimit të armëve. Asgjësimi i modeleve të ndryshme u bë në pajtim me Programin e OKB-së për parandalimin dhe çrrënjosjen e tregtisë së paligjshme me armë të vogla dhe të lehta, nënshkruese e së cilës është edhe Republika e Maqedonisë. “Çdo armë ilegale, përveç rrezikut për sigurinë e përgjithshme dhe sigurinë e qytetarëve, është edhe shkelje serioze e ligjeve dhe pa dyshim do të përfundojë si këto armë”,-u shpreh ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Gordana Jankullovska, e cila paralajmëroi se gjatë ditëve të ardhshme do të asgjësohen mbi 200 mijë copë armë dhe municione. Dy ditë më parë janë asgjësuar mbi 800 mjete shpërthyese dhe kimike, si dhe municion me kalibër prej 12,7 mm.

Moska kërkon që UNMIK-u të mos rrezikohet

Rusia ka kërkuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të mos rrezikohet në asnjë mënyrë UNMIK-u në Kosovë derisa të sqarohet dykuptimësia për rolin e ardhshëm të misionit dhe të vazhdojnë konsultimet me Serbinë. Ambasadori rus në OKB, Vitalij Çurkin, tha se Moska e konsideron çështje të rëndësishme rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe kjo çështje duhet të kthehet për shqyrtim në Këshillin e Sigurimit dhe përmes konsultimeve duhet të gjendet formula me të cilën të pajtohen të gjitha palët. Ai tha se EULEX-i nuk mund të veprojë në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe as “me mendimin e shprehur qartë të Sekretarit të Përgjithshëm rreth rikonfigurimit të UNMIK-ut”. Çurkin ka lëshuar sërish akuza kundër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun duke thënë se ai po abuzon me pushtetin në lidhje me çështjen e Kosovës. Sipas tij, Ki Mun ka tejkaluar kompetencat kur ka ndryshuar misionin e OKB-së në Kosovë kur i ka dhënë dritën jeshile misionit të rikonfiguruar që do të pasohet më pas nga misioni i BE-së, EULEX.

Tadiç: “Pas 3 ose 5 vitesh, një pjesë e Kosovës do t’i bashkohet Serbisë”

Presidenti serb, Boris Tadiç, synon që pas 3 ose 5 vjetësh, një pjesë e banuar me shumicë serbe të shkëputet nga Kosova dhe t’i bashkëngjitet Serbisë. Megjithatë gazeta kosovare “Zëri” citon burime ndërkombëtare perëndimore sipas të cilëve Tadiç dhe ndihmësit e tij janë të vetëdijshëm se një skenar i tillë nuk përkrahet nga ndërkombëtarët dhe se në rrethanat e tanishme, imponimi i një zgjidhjeje të tillë mund ta destabilizonte Kosovën dhe mbarë Ballkanin. Në Beograd mbizotëron bindja që modeli eventual i ndarjes territoriale të Kosovës kërkon një kohë prej 3 deri 5 vjetësh, gjatë të cilave do të krijohej një atmosferë më e përshtatshme në Kosovë dhe në Serbi, sepse çdo ndarje e Kosovës nënkupton që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky skenar nënkupton që gjendja në veriun e Kosovës të mbetet po kjo që është tani, e që gjithnjë e më shpesh po cilësohet si “konflikt i ngrirë”.

Jeremiç: “Në BE vetëm me ‘Kosovën dhe Metohin뒔

Edhe pse më afër Bashkimit Europian, Serbia ende vazhdon të mbrojë idenë për mospranimin e pavarësisë së Kosovës edhe sikur t’u duhej të hiqnin dorë nga BE-ja përfundimisht. “Nëse dikush do ta kushtëzonte pranimin e Serbisë në Bashkimin Europian me kusht që Serbia ta njohë pavarësinë e “Kosovës dhe Metohisë” atëherë përgjigjja automatike do të ishte “jo” pavarësisht se çfarë humbet apo fiton Serbia”,- ka deklaruar për gazetën serbe “Politika” Vuk Jeremiç, ministër i punëve të jashtme të Serbisë.
Ministri i Jashtëm serb Jeremiç ka pohuar se Serbia do t’i nënshkruajë dokumentet dhe marrëveshjet ndërkombëtare vetëm nëse në kuadër të tyre përfshihet edhe territori i Kosovës sepse të gjitha marrëveshjet duhet të jenë në pajtim me kushtetutën e Serbisë. “Çështja e ‘Kosovës dhe Metohisë’ dhe çështja e integrimit të Serbisë në BE janë të ndara dhe nuk pres që të ketë asnjë lloj kushtëzimi lidhur me këtë që këto dy çështje të bashkohen”,- tha Jeremiç dhe shtoi se nuk ka informacione se presidenti francez Nikolas Sarkozi të ketë thënë se Serbia mund të integrohet në BE vetëm nëse pranon pavarësinë e Kosovës.

Gjykata e Hagës sot vendos për Boshkovskin dhe Tarçullovskin

Sot, Gjykata e Hagës për krime lufte do të shqiptojë vendimin e dënimit për ish-ministrin e Brendshëm maqedonas, Lube Boshkovski dhe bashkëpunëtorin e tij Johan Tarçullovski. Dënimi do të shqiptohet në orën 14:15 nga gjyqtarët Kevin Parker, Kristine Van den Vingert dhe Krister Telin. Ndërkaq Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë ka kërkuar dënime me burg nga 12 dhe 15 vjet për Boshkovskin dhe Tarçullovskin, të cilët ngarkohen për vrasje të civilëve shqiptarë gjatë një aksioni të gjerë policor dhe ushtarak në fshatin Luboten të Shkupit gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni.

OSBE-ja kritikon Rumaninë për mospublikimin e lajmeve negative

Vëzhguesit europianë për të drejtat e njeriut i bënë thirrje presidentit të Rumanisë të vërë veton për projektligjin që kërkon që në radio-televizioneve të transmetohen më tepër lajme "pozitive". Me aprovimin e projektligjit, që ka ende nevojë për nënshkrimin nga ana e presidentit Traian Basescu, radio-televizioneve do t'u duhet t'u lënë hapësirë të barabartë çështjeve "pozitive" dhe atyre "negative" gjatë transmetimeve të tyre. Nxitësit e këtij projektligji shprehen se shumë lajme me ngarkesë negative po i bëjnë njerëzit të ndihen keq. "Këshillimi ose thjesht përkufizimi i lajmit të mirë ndaj atij të keq është një ndërhyrje e ashpër në lirinë e shtypit", - deklaroi Miklos Haraszti, monitoruesi i lirisë së shtypit i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë për 56 shtete. "Kjo nuk ka të bëjë fare as me të drejtat e publikut", - shprehej ai në një deklaratë të bërë nga zyrat qendrore të OSBE-së në Vjenë.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›