E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gati për çdo kërkesë të Aleancës”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha përshëndeti nënshkrimin dje në Bruksel, të Protokollit të Aderimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke e cilësuar këtë një ditë historike për kombin shqiptar. “Është një rast i madh t ju përshëndes ju dhe çdo shqiptar, kudo që ndodhet dhe t i uroj këtë ditë historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, - u shpreh kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Duke e konsideruar këtë një ditë të madhe dhe historike në udhëtimin e Shqipërisë drejt së ardhmes, kryeministri Berisha u shpreh se firmosja e Protokollit të Aderimit në NATO u bë e mundur pas marrjes së ftesës më 3 prill të këtij viti, në Bukuresht dhe dy raundeve shumë të suksesshme të negociatave në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Bruksel midis përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe atyre të Aleancës. Ai theksoi më tej se firmosja e Protokollit të Aderimit dhe ftesa e 3 prillit, është rezultat i reformave të thella ekonomike e fiskale të ndërmarra nga qeveria. “Dua të theksoj se përcaktuese për 3 prillin dhe 9 korrikun kanë qenë e mbeten lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, për të cilën qeveria ime u zotua gjatë fushatës elektorale, kanë qenë e mbeten respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave njerëzore, e sanksionuar kjo në të gjitha raportet ndërkombëtare që konstatojnë se qeveria respekton liritë e të drejtat njerëzore. Kjo u bë e mundur nga lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, luftë e cila ka nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit dhe i ka dhënë Shqipërisë qeverinë me shpenzimet operative më të ulëta në Evropë dhe mbase në botë”, - tha ai. Berisha siguroi se reformat kanë qenë dhe do të mbeten “perpetum mobile” i qeverisë dhe se ajo do t i përgjigjet me seriozitet çdo kërkese që Aleanca do të bëjë ndaj Shqipërisë, në kuadrin e bashkëpunimit dhe anëtarësimit në të. Ai premtoi se Shqipëria do të punojë që të realizojë anëtarësimin e plotë.
Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›