E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP, ndotje bakteriale dhe në spitalet e rretheve



Nga inspektimet e kryera nga ISHP-të e rretheve ka rezultuar se ndotja bakteriale është prezente në shumicën e spitaleve të rretheve. Ndotja nga bakteri “Stafilokok” është evidentuar edhe në katër qendra spitalore të tjera në vend. Pas alarmit që u dha dy ditë më parë për mbylljen e sallave të operacionit në Kardiokirurgji, tashmë alarmi u përhap në të gjithë spitalet e vendit. Por duket se infeksioni nuk mbeti vetëm në QSUT, por tashmë ai është evident edhe në Spitalin e Shkodrës, Kukësit, Vlorës dhe në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Shefja e Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, sqaroi se bakteri i Stafilokokut gjendet dhe në sallat e operacioneve në spitale të tjera të vendit. Ndërsa përsa i përket Pavijonit të Kardio-kirurgjisë, ajo shprehet se do të priten rezultatet e analizave nëse është prekur edhe Reanimacioni. Nëse kjo gjë vërtetohet, atëherë pacientët e shtruar në këtë pavijon do të shpërngulen për ndonjë vend tjetër të qendrës spitalore. Operacionet në Pavijonin e Kardio-kirurgjisë janë ndërprerë në të 4-ta sallat e operacioneve për shkak të përhapjes së bakterit të Stafilokokut. Nga ky bakter rezultojnë se janë infektuar 5 pacientë që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Familjarët kanë akuzuar bluzat e bardha për pakujdesi, ndërkohë që priten rezultatet përfundimtare të pacientëve, nëse janë prekur ose jo nga ky bakter i rrezikshëm për jetën. Bakteri i Stafilokokut është i rrezikshëm për pacientët e prekur. Ai shfaqet pak ditë pas kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale dhe simptomat e tij janë temperaturë e lartë, e cila është e vështirë të bjerë. Ndërkohë që shkaqet e përhapjes së bakterit janë kushtet e higjienës pas kryerjes së operacionit në salla. Pas çdo operacioni bëhet dezinfektimi total i sallës dhe mjeteve që është kryer ndërhyrja. Mjekët bëjnë të ditur se bakteri gjendet gjithmonë në sallat e operacioneve, por ai duhet të mbahet në doza mjaft të vogla deri në zhdukje. Ndërsa në rastet e shfaqjes së tij, duket se dezinfektimi i ambienteve nuk është kryer në përmasat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e pacientëve.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›