E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Si do të renditen në listë deputetët aktualë

Kushti: Rezultatet pozitive në zonat elektorale. Kandidatet femra, në vendet e para në listë

Eljona Ballhysa
Zbardhet taktika e Partisë Demokratike përsa i përket renditjes së deputetëve aktualë të kësaj partie në listat për zgjedhjet e parlamentare të qershorit 2009. Burime nga selia blu kanë bërë të ditur për gazetën se pothuajse të gjithë deputetët aktualë të kësaj partie do të përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë. Por renditja në lista do të përcaktohet në bazë të punës që ata kanë bërë në zonat e tyre elektorale gjatë mandatit të parë si deputetë. Për këtë lidershipi i Partisë Demokratike ka udhëzuar, nëpërmjet telefonatave, kryetarët e degëve që të hartojnë një raport për punën e bërë nga deputeti i zonës. Po kështu, kryetarët e degëve janë udhëzuar të dërgojnë në kryesi dhe emra aspirantësh për kandidatë për deputetë, që gëzojnë opinion të mirë në zonë dhe mbështetje të banorëve të qytetit ku jetojnë.
Kandidatët
Burimet bëjnë të ditur se monitorimi i punës së deputetëve do të jetë vendimtar për renditjen e tyre në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por kjo procedurë sigurisht që nuk pritet të zhvillohet për të gjithë deputetët. Nga kjo procedurë do të përjashtohen njerëzit e afërt të lidershipit, ministrat dhe anëtarët e kryesisë së vogël. Por rrezikojnë ata persona që kanë shfaqur hapur mendimet e tyre në kundërshtim me vendimet dhe qëndrimet e lidershipit të partisë. Sigurisht, rrezikojnë dhe ata deputetë, figura e të cilëve nuk është promovuar gjatë mandatit katërvjeçar. Renditja në listë përcakton paraprakisht fitoren e një mandati tjetër në Kuvend ose jo. Kështu, sipas Kodit të ri Zgjedhor, personat që vendosen të parët në listë e kanë pak a shumë të garantuar karrigen e deputetit. Ndërsa ata që janë nga mesi në zonat bastion kanë shanse të fitojnë, varet nga mbështetja që gëzojnë si individë në zonën elektorale. Personat që vendosen në fund të listës rrezikojnë të digjen dhe të mbeten pa mandatin e deputetit.
Femrat
Një tjetër udhëzim i dhënë nga selia blu është se një ndër tre emrat e parë në listën e deputetëve do të jetë kandidate femër. Në të 12-të qarqet femrat do të jenë të favorizuara të zënë vendet e para në listën e kandidatëve për deputetë. Ky vendim është i kushtëzuar edhe nga respektimi i Kodit të ri Zgjedhor, i cili kërkon domosdoshmërisht që në Kuvend partitë politikë të përfaqësohen me 30% të deputeteve femra. Kjo dispozitë e Kodit Zgjedhor pritet të zbatohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sipas burimeve në kryeqytet, të favorizuara do të jenë dy deputetet aktuale, Majlinda Bregu dhe Lajla Pernaska, si dhe të tjera femra, që do të vijnë kryesisht nga administrata e ngushtë e kryeministrit Berisha. Në Shkodër dihet që e para në listë do të jetë kryetarja e Kuvendit, nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, si dhe ish-ministrja e Integrimit, Arenca Trashani. Katër deputetet aktuale femra të PD-së e kanë të sigurt fitoren e një mandati tjetër.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›