E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Dorëheqja? "Lojë" psikologjike me lojtarët

Vetëm 24 orë pasi ka mësuar se në mediat shqiptare kishte filluar të qarkullonte emri i tij, si trajneri i dorëhequr në mënyrë të parevokueshme nga drejtimi i Kombëtares tonë U-21, Artan Bushati ka përgënjeshtruar gjithçka nëpërmjet një konference për shtyp në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Tekniku i të rinjve kuqezinj, me një pamje të zymtë ka hedhur dritë mbi zërat e fundit për largimin e tij të vullnetshëm nga pankina e Shpresës, duke sqaruar se bëhet fjalë për një "lojë" psikologjike të Bushatit për lojtarët e tij, por që këta të fundit e përfunduan në faqet e shtypit si një çështje të mbaruar. "Nuk kam dhënë dorëheqjen, është shprehur trajneri Bushati. Thjesht në pushim të ndeshjes synova t‘i motivoj lojtarët me fjalët: ‘Nuk dua të jem trajneri i një skuadre të tillë, që e humbet ndeshjen në pjesën e parë‘. Kjo ishte e gjitha". Më pas, numri një i pankinës së përfaqësues sonë Shpresa, foli në lidhje me punën e tij dhe objektivat për të ardhmen: "Qëllimi ynë kryesor nuk janë rezultatet, por elementet për kombëtaren A, gjë të cilën në këto 2 vitet e fundit e kemi përmbushur. Kemi çuar 8 lojtarë, që tani janë pjesë e kësaj kombëtareje".

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›