E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekët e Gërdecit niseshin nga Rinasi

Të pyetur dje nga Korrieri nëse në vend të biznesmenit Kosta Trebicka nënkontraktori i kompanisë amerikane AEY Ltd në hangarët e kësaj baze bënte paketim fishekësh ndonjë person tjetër, ushtarë dhe oficerë dhanë vetëm një përgjigje: Jo, këtu bëhej vetëm transporti i tyre

TIRANË - Ndonëse Prokuroria po heton mbi thëniet e disa punëtorëve të fabrikës, se ata paketonin fishekë në fabrikën e çmontimit të Gërdecit, që më pas niseshin me kamionë drejt destinacioneve të panjohura për punonjësit, “Korrieri” arriti dje të konfirmonte thëniet e tyre. Nga Gërdeci, fishekët niseshin me kamionë drejt Rinasit.

Pikërisht nga pjesa ushtarake e aeroportit të Rinasit, në hangarët e të cilit kishte planifikuar të ripaketonte fishekët muaj më parë biznesmeni Kosta Trebicka dhe që më pas t’i niste për në Afganistan, në kuadër të nënkontraktimit me firmën amerikane “AEY Ltd”, janë nisur sasi të konsiderueshme fishekësh dhe municionesh, veçse kësaj radhe ata vinin nga Gërdeci. Burime ushtarake nga Aeroporti i Rinasit i thanë dje “Korrierit”, se nga baza e tyre janë nisur municionet dhe gjithçka tjetër që vinte nga Gërdeci. Po të njëjtat burime bënë me dije, se ato merreshin vetëm me transportin e “mallit” të Gërdecit, por nuk pranuan të sqaronin nëse ata kishin transportuar vetëm fishekë, apo kishte pasur edhe armë. Sipas burimeve ushtarake nga baza e Rinasit, arkat që vinin nga Gërdeci ishin të mbyllura dhe se në atë bazë nuk ishte bërë asnjëherë paketim fishekësh. Ky pohim në fakt përputhet me gjithçka thanë menjëherë pas ngjarjes së rëndë dhe punonjësit e fabrikës së çmontimit në Gërdec, të cilët publikisht për median thanë se ata nuk çmontonin të gjithë fishekët e predhat.

Burimet zyrtare të prokurorisë ndërkohë, vetëm dy ditë më parë bënë të ditur se kishin nisur hetimet kryesisht për të verifikuar thëniet e një punëtori, se në fabrikë bëhej dhe paketim fishekësh. Por prokurorëve në fakt po iu rezultonte se kishte një farë përputhshmërie me kohën kur biznesmeni Kosta Trebicka pohonte se ishte bërë gati të fillonte punën për llogari të kompanisë “AEY Ltd” dhe periudhës kur kishte filluar punën fabrika e çmontimit në Gërdec.

Në fakt, me urdhër të kujt shkonin arkat e fishekëve në Rinas, a paketoheshin në Gërdec dhe për ku niseshin? Me gjithë insistimin e “Korrierit”, përgjigjja zyrtare ende mungon qoftë nga Ministria e Mbrojtjes e qoftë nga Prokuroria që po heton rreth kësaj afere aspak të qartë, ndërkohë që burime jozyrtare  japin vetëm destinacione drejt Lindjes së Afërme dhe të Largët.            

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›