E Shtunë, 31 Tetor 2026

Endrra e kopshtarit Rami

Adil Rami

Adil Rami, mesfushori i Lilës është përzgjedhur befasisht në listën e lojtarëve të kombëtares franceze për ndeshjen miqësore ndaj Anglisë

Ndodh edhe kështu. Për një kohë shumë të shkurtër ëndrra mund të realizohet dhe, nga një kopshtar, mund të bësh pjesë mes lojtarëve më të mirë të kombëtares franceze. Adil Rami, mesfushori i Lilës është përzgjedhur befasisht në listën e lojtarëve të kombëtares franceze për ndeshjen miqësore ndaj Anglisë. Mesfushori 22-vjeçar deri më tani ka koleksionuar vetëm 22 ndeshje në kategorinë e parë franceze. Asnjë nuk e priste që në listën e lojtarëve për ndeshjen miqësore ndaj Anglisë trajneri Raimond Domenek të grumbullonte mesfushorin e ri të Lilës.

“Adil ka ardhur nga hiçi”, ka deklaruar trajneri i tij, Klod Puel. Faktikisht, deri dy vjet më parë mesfushori luante me diletantët e ES Frejus dhe për të siguruar jetesën punonte si kopshtar. I vëzhguar rastësisht nga menaxherët e Lilës, ka debutuar në divizionin më të lartë francez vetëm sezonin e kaluar, pasi u rikuperua nga një dëmtim shumë serioz. Grumbullimi i Ramit u duk befasues, pasi lojtari që posedon dy pasaporta ka refuzuar të veshë bluzën e kombëtares së Marokut, duke shpresuar se një ditë do të mund të vishte atë të kombëtares franceze. Nëse lojtari i Lilës do të mund të aktivizohet qoftë edhe një minutë ndaj Anglisë, nuk do të ketë mundësinë që në të ardhmen të luajë për kombëtaren afrikane. Kur Rio Mavuba e ka informuar për grumbullimin e tij në kombëtare, Rami ka pasur nevojë për disa minuta që të kuptonte atë që kishte ndodhur. “Mendoja se ishte një shaka, por më pas e kuptova se ishte e vërtetë”, ka deklaruar lojtari. Por megjithatë, Raimond Domenek i ka bërë të ditur se ai nuk do të jetë pjesë e kombëtares franceze për në Evropianin e këtij viti. “Rami dhe Delpierre do të jenë të nevojshëm për të ardhmen, - ka shpjeguar trajneri francez. - Dua të grumbulloj sa më shumë lojtarë, për të vendosur më pas se kush do të jenë zëvendësuesit e Klod Makelele e Patrik Viera, kur këta të tërhiqen nga futbolli”. Përveç Ramisë, Domenek ka grumbulluar për herë të parë në kombëtare edhe katër lojtarë të tjerë. Bëhet fjalë për Matjë Delpierre, Matjë Valbuena (nuk do të jetë i pranishëm për shkak të një dëmtimi), Matjë Bodmer dhe Florent Sinama-Pongolle.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›