Jaupi, dëshmi për municionet

Treshja e gjeneralëve të lartë të ushtrisë shqiptare: Hoxha, Spahiu dhe Jaupi, dhanë deklarimet e tyre njëri pas tjetrit në lidhje me ngjarjen e Gërdecit
TIRANË - Pas shefit të Shtabit të Përgjithshëm, një tjetër ushtarak i lartë merret në pyetje nga grupi hetimor që po heton tragjedinë e 15 marsit në fshatin Gërdec. Për afro tri orë, komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneral Brigade Astrit Jaupi, dha dëshminë e tij lidhur me pozicionin e strukturës që drejton, në ngjarjen që ditët e fundit është më e përfolura. Megjithëse tepër të rezervuara në dhënien e informacioneve, burime nga grupi hetimor bën me dije se komandanti i Forcave Ajrore ka dhënë shpjegime lidhur me procedurat e ndjekura për një sasi municionesh e parashikuar për demontim. Ballafaqimi i legjislacionit me veprimet reale të kësaj strukture mësohet të jetë një nga çështjet mbi të cilën është përqendruar seanca e shpjegimeve, e cila nisi rreth orës 11.30 deri në orën 14.00, kur Gjeneral Jaupi kaloi portën e Prokurorisë së Tiranës. Burime nga prokuroria thanë se komandanti i Forcave Ajrore ka argumentuar të gjitha lëvizjet e municioneve të urdhëruara prej tij, me zbatimin e urdhrave në kuadër të planit për demontimin e predhave, përfshi këtu dhe ato municione që janë nën administrimin e Forcave Ajrore. Burime të rezervuara thanë se kjo është dëshmia e parë që komandanti i Forcave Ajrore jep në prokurori, duke lënë të hapur mundësinë e një tjetër seance pyetjesh, ashtu si në rastin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantit të Forcës së Bashkuar. Të dy këta zyrtarë të lartë të ushtrisë shqiptare u ripyetën dy ditë më parë, jo nga prokurori ushtarak që është pjesë e grupit hetimor, por nga zëvendësprokurori i Tiranës që po udhëheq hetimin e çështjes. Rreth orës 00.30 të mesnatës së djeshme, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha u largua nga prokuroria e kryeqytetit, ku për të paktën tri orë dha për herë të dytë shpjegimet për të gjitha çështjet që lidhen me tragjedinë e Gërdecit. Thirrja e tij në prokurori erdhi menjëherë pas deklaratave të Shtabit të Përgjithshëm, se kjo strukturë është anashkaluar tërësisht nga Ministria e Mbrojtjes, e cila përcaktoi Gërdecin si vendin ku do të ndërtohej fabrika për demontimin e predhave. Burime nga grupi hetimor thanë se shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë deklarimeve të tij ka mbajtur të njëjtin qëndrim me deklaratat e bëra publike nga Shtabi i Përgjithshëm. “Përveç disa detajeve që janë pjesë e hetimit, pjesa tjetër e deklarimeve të shefit të Shtabit të Përgjithshëm janë të njëjta me deklaratat dhe qëndrimin publik të kësaj strukture”, - thanë dje burime nga Prokuroria e Tiranës. Dy ditë më parë, Kolonel Vladimir Ndreu tha se “Urdhri nr. 550, datë 25.04.2007 i ministrit të Mbrojtjes në momentin e përgatitjes së tij, nuk ka kaluar përmes Shtabit të Përgjithshëm. Do të jenë organet e specializuara, ata që do t’i japin përgjigje pyetjes se përse Ministria e Mbrojtje nuk ka shmangur Shtabin e Përgjithshëm nga vendimmarrja për përgatitjen e urdhrit që përcaktoi vendin për ndërtimin e fabrikës”.