Paralajmërimi i Nikollës

Kreu i Levizjes Demokristiane thote se Qeveria duhet te riformatohet patjeter ne menyre drastike. Ai paralajmeron se ka deputete te mazhorances qe po mendojne te largohen drejt grupimeve te tjera
Deputeti Nikollë Lesi, aktualisht kreu i një lëvizje të re politike të quajtur Lëvizja Demokristiane, sheh si të vetmen zgjidhje për përmirësimin e imazhit të qeverisë, ndryshimin drastik të saj. Sipas Lesit, ndryshimet duhet të prekin ministritë që drejtohen nga aleatët dhe figurat e reja të kabinetit qeveritar duhet të jenë personazhe profesionistë të mirënjohur nga opinioni publik. Këto ndryshime drastike, sipas Lesit, duhet të krijojnë hapësira për pjesën e pakënaqur brenda Partisë Demokratike. Ndërkohë, deputeti Lesi shprehet se brenda radhëve të Partisë Demokratike dhe të mazhorancës, shumë deputetë po mendojnë të largohen drejt formacioneve të tjera politike, “për shkak të pazareve politike të kryeministrit Sali Berisha”. Ai sheh si fajtorë politikë për ngjarjen e Gërdecit kreun e qeverisë dhe ministrin e Mbrojtjes, ndërsa thotë se duhet që vetë kryeministri të kërkojë një mocion për veten e tij.
-Si e shihni situatën në qeveri dhe në të djathtën në tërësi, pas ngjarjes së ndodhur?
Nikollë Lesi: “Qeveria është tronditur në themele pas kësaj ndodhie në Gërdec. Por ka një mekanizëm për të përmirësuar paksa imazhin: ndryshime drastike në qeveri. Kurse e djathta ende nuk ka konture gardhi, pasi kushdo mund të futet e të dalë nga kopshti, mjafton të ketë nja tre apo më shumë deputetë të marrë hua nga partitë e tjera e të cilët më pas kthehen në vathën e tyre. Në këto momente, ndryshimet në qeveri duhet të bëhen dhe të jenë radikale. Nëse Berisha prapë përzgjedh ministra bazuar në formulën e dështuar të koalicioneve formale, parti të cilat në shumicën e tyre dështuan, atëherë ka dështuar dhe unë do të gjej një formulë për t’u pozicionuar”.
-A vihen në pikëpyetje planet dhe prioritetet e qeverisë dhe a duhen të marrin një drejtim tjetër këto prioritete?
“Pa diskutim që planet e qeverisë ndryshojnë, pasi janë të detyruara tashmë pas kësaj që ndodhi nga njëri prej ministrave më aleatë të Berishës. Flamuri i Berishës si qeveri antikorrupsioni tashmë është grisur dhe nuk mund të nxirret më në publik, pasi do të na përqeshin. E kjo për fajin e Berishës, i cili mori në qeveri këdo që i doli para, mjafton të kishte numra pas vetes, e jo parime apo platforma qeverisje”.
-Cilat mendoni se janë pikat qeveritare që duhen përmirësuar?
“Gjithçka në qeveri duhet përmirësuar, por veçanërisht ndryshime duhet të kenë Ministria e Arsimit, e Shëndetësisë, e Mjedisit etj., që duhen t’i marrë vetë PD-ja përsipër e jo të bëjë pazare numrash në Parlament, pasi gjithsesi numrin 71 vota e ka zoti Berisha. Por në qoftë se kryeministri vazhdon në pazare të fshehta politike vetëm për të qenë vetë i sigurt po të them se shumë deputetë të PD-së e në mazhorancë do të lëkunden e mundet të largohen, duke gjetur një formacion tjetër politik. Kam informacion të pranueshëm në këtë drejtim, se diçka po zien brenda radhëve të PD-së, prandaj të jetë i kujdesshëm. Pas kësaj që ndodhi në Gërdec, duhet një qeveri me njerëz profesionistë e me mbështetje në opinion, pasi ka brenda mazhorancës plot deputetë të tillë. Varet sesi zgjedh Berisha. Nëse ai do të shkojë drejt greminës, le të shkojë, askush nuk i shkon më pas për t’u mbytur”.
-Cilët janë fajtorët e vërtetë për ngjarjen, sipas jush?
“Pa diskutim, politikisht kryeministri dhe ish-ministri Fatmir Mediu, ndërsa ligjërisht duhet të japin verdiktin organet e drejtësisë”.
-A duhet të japë dorëheqjen Berisha, sipas gjykimit tuaj?
“Edhe mundet, porse duke njohur të djathtën që nuk lejon individë të tjerë përveç Saliut, mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër për momentin përveç Berishës, por me një kabinet krejt të ri, me emra VIP nga radhët e mazhorancës e jo duke parë koalicionin fiktiv e të blerë të 3 korrikut 2005. Unë mendoj se nuk duhet që e majta të kërkojë mocion për kryeministrin, por duhet që vetë kryeministri të kërkojë mocion besimi”.
-Keni njohur drejtuesit e të dy krahëve politikë në vite, mendoni se faji mund të jetë i përbashkët për ngjarjen e ndodhur, duke qenë se të akuzuarit kanë qenë të lidhur me qeveritë e viteve të fundit?
“Elementë të tillë ka plot dhe varet nga politikat e qeverisë nëse i afron apo i ndëshkon. Gërdeci tregoi se edhe e djathta është e përzier dhe e tunduar nga korrupsioni, madje në këtë rast më keq se e majta”.
-Janë hedhur shumë teza për ngjarjen. Mendoni se ishte një gabim njerëzor?
“Gjithçka mund të jetë, por një gjë mund të thuhet, se ishte korrupsion shtetëror dhe njëkohësisht krim i paralajmëruar qeveritar, përderisa gjithçka ishte parapërgatitur për t’i shërbyer pazareve të Delijorgjit dhe natyrisht vetes së tyre qeveritarët”.
-Si e shihni në këto momente bashkëpunimin PD-PS për reformën zgjedhore?
“Marrëveshje që tani është ngrirë”!
-Në cilin krah politik e shihni veten?
“Do të shoh mënyrën sesi do të ndërtohet qeveria e re për të gjykuar nëse kam më vend në të djathtën për të cilën erdhëm në pushtet më 3 korrik 2005, apo gjithçka është tradhtuar prej Berishës”.