Fisher: Demokracia shqiptare është në provë
Eksperti i çështjeve shqiptare nga Universiteti Indiana në SHBA, Bernd Fisher pranon se në 100 vjetorin e pavarësisë partitë politike duhet të shtojnë përkushtimin për të tejkaluar sfidat e zhvillimit të Shqipërisë dhe integrimin në BE.
Disa përparime janë bërë si anetarësimi në NATO, apo liberalizimi i regjimit të vizave, por përsëri ka mjaft për të ndrequr. Shumë vëzhgues të brendshëm dhe ndërkombëtarë që ndjekin jetën shqiptare vazhdojnë që të bëjnë thirrje për reforma urgjente që lidhen me demokratizimin e vetë partive politike, dhe forcimin e institucioneve shtetërore. Partitë ngjajnë më tepër si grupime shoqërore – tha ai, gjate konferencës ndërkombëtare mbajtur në Tiranë nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare dhe Instituti Shqiptar i Medias.
Studiuesi i njohur Fisher tha se edhe pas 20 vjetësh janë përsëri shumë të vogla ndryshimet ideologjike midis dy partive të mëdha politike; Ato janë autoritare, pa shumë debate të brendshme, dhe financimi i tyre ende nuk është transparent; këto parti ende kërkojnë reforma zgjedhore, kur nga 10 palë zgjedhje vetëm një raund zgjedhor është njohur nga të gjitha palët; Fushatat zgjedhore janë të dhunshme, ndërsa përgatitjet teknike politizohen, bashkë me dyshimet për numërimin e votave.
Krizat përsëriten sepse përsëriten këto probleme. Përsëriten bojkotet dhe shoqatat ende kritikojnë për korrupsion dhe krim të organizuar. Gjykatat akuzohen për politizim dhe korrupsion. Dhuna e 21 janarit solli edhe dhunën e fjalimeve politike, fushatën e ashpër të zgjedhjeve vendore dhe kundërshtimin e rezultateve të tyre. Sipas vëzhguesve, sfidat janë të njëjta; zhvillimi i demokracisë dhe i ekonomisë, për të zhdukur dyshimet se Shqipëria po bën hapa prapa – tha zoti Fisher. (voa)