Berisha reagon për arrestimin e vrasësit të arkëtares: Ishte përgjigje e vendosur ndaj krimit
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas lajmit se është arrestuar në Tiranë vrasësi i arkëtares Leonora Kaloçi. Berisha ka përgëzuar forcat policore e tha se ky aksion ishte një përgjigje e vendosur ndaj krimit. Berisha përshëndeti edhe një aksion tjetër të zhvilluar sot në Vlorë për të arrestuar një të shumëkërkuar.
Kryeministri Berisha përgëzon forcat e Policisë së Shtetit për operacionet e shkëlqyera të kryera sot në Tiranë dhe në Vlorë. Në Tiranë ato ndaluan të dyshuarin e krimit të shëmtuar, vrasjes së arkëtares së një dege banke në sheshin Shtraus dhe plagosjen e rëndë të rojes së kësaj banke,ngjarje kjo që tronditi kryeqytetin dhe mbarë vendin. Në Drashovicë të Vlorës, forcat e Policisë së vendit së bashku me oficerë të Policisë Italiane, ndaluan një të superkërkuar, i dyshuar si autor krimesh të rënda në Itali dhe Shqipëri dhe i arratisur vitin e kaluar nga një burg i sigurisë së lartë në Itali. Suksesi i këtyre operacioneve është përgjigja më e vendosur ndaj krimit dhe autorëve të tij, thuhet në mesazhin e kryeministrisë.