Fyle: Shpejtoni reformën zgjedhore. Gjithë rajoni po lëviz përpara, ecni edhe ju
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, u takua sot me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu në Bruksel. Ata diskutuan në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sërish Fyle ka vlerësuar miratimin nga qeveria të Planit të Veprimit që adreson rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Në një njoftim për shtyp të zyrës së Fyles thuhet se Shqipëria duhet të përdorë të gjithë kapacitetet në mënyrë që të ecë përpara me reformat sa i përket kritereve politike, zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Fyle vetë thotë se me përparësi duhen marrë reforma zgjedhore dhe ajo për rregulloren e Kuvendit.
Më kanë siguruar se Shqipëria nuk do humbasë kohë dhe do ecë përpara me të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që të arrihen rezultate të dukshme në të gjitha fushat. Këto arritje duhet të përfshijnë përfundimin e shpejtë të reformës zgjedhore dhe rishikimin e rregullores së Kuvendit, që do hapin rrugën për progres edhe në fusha të tjera. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë e pronësisë së reformave nga të gjithë palët dhe vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv dhe dialogut mes qeverisë dhe opozitës. Komisioni është gati për të vazhduar mbështetjen dhe orientimin për këtë përpjekje të rëndësishme kombëtare, që bëhet edhe më e rëndësishme në një kohë kur i gjithë rajoni po ecën përpara, tha Fyle në takim.