Fisher: Shqipëria në gjendje kritike, duhet kompromis PD-PS
SHBA- Shqipëria ndodhet në krizë të vërtetë politike dhe kjo situatë ka zhgënjyer dhe vendet që mbështetën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Këto komente i ka bërë për Zërin e Amerikës studiuesi i cështjeve shqiptare, profesori Bernd Fisher. Fisher gjykon se kriza aktuale politike mund të zgjidhet vetëm nëse dy partitë kryesore bëjnë një kompromis. Ai këmbëngul se kutitë duhen hapur ndërsa opozita duhet ti japë fund bojkotit parlamentar. Sipas tij kjo duhet bërë paralelisht pra dy palët të bëjnë lëshime në të njëjtën kohë dhe jo njëra parti ti dorëzohet tjetrës. “Besoj se kriza politike mund të zgjidhet vetëm nëse të dyja partitë kryesore politike bëjnë një kompromis. Më konkretisht mendoj se partia në pushtet, qeveria Berisha duhet të marrë seriozisht në konsideratë hapjen e kutive të votimit, rishqyrtimin përmes një komisioni parlamentar të zgjedhjeve të fundit dhe mendoj se Partia Socialiste duhet ta shqyrtojë me seriozitet t'i japë fund bojkotit dhe të hyjë në parlament. Bojkoti mund të kishte qenë efektiv për dy javët e para ndoshta, si gjest simbolik. E dimë që kryeministri Berisha, nuk para u përgjigjet këtyre lloj sinjaleve, por komuniteti ndërkombëtar mund të kishte reaguar dhe me siguri do ta kishte lënë Partinë Socialiste moralisht në një pozitë të favorshme. Tani bojkoti vetëm po shkakton dëme. Por duhet të theksoj se duhet të ketë përpjekje nga të dyja partitë për të arritur kompromis. Një gjë të tillë e sugjeroi së fundmi Këshilli i Evropës dhe mendoj se është diçka e arsyeshme. Nuk mendoj se është e mundur që një parti të presë që partia tjetër të tërhiqte nga pozicioni i vet, kështuqë kompromisi nga të dyja palët besoj se do të ishte hapi i parë për të zgjidhur këtë çështje.” u shpreh Fisher. Ai thotë se problemi aktual për Shqipërinë është mungesa e demokracisë brenda vetë partive politike, pasi shumica e udhëheqësve vazhdojnë të jenë autoritarë. Fisher sugjeron ndryshime brenda strukturës së vetë partive dhe më tepër bashkëpunim mes forcave politike. Sipas tij, një nga elementët shqetësues në legjislacionin e kohëve të fundit është prirja për të forcuar pozitën e kryeministrit në krahasim me parlamentin dhe ndërhyrja e tij në ndarjen e pushtetit, por kjo dket se është pasojë e bojkotit të opozitës. Por kjo situatë politike krijon probleme në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. “Deklaratat e muajit të fundit të Bashkimit Evropian kanë qenë të forta dhe mendoj se thirrjet prapa skenave janë edhe më të forta, duke pasur parasysh që Bashkimi Evropian ka prirjen t'i paraqesë më të zbutura kërkesat e tij në publik. Pra gjendja për Shqipërinë është kritike. Nëse ky problem nuk zgjidhet shumë shpejt, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian do të ndërlikohet seriozisht.” theksoi Fisher. Edhe raportet e tjera të muajve të fundit si Transparency International apo Freedom House tregojnë se vendi ynë nuk po bën asnjë përparim krahasuar me gjithë vendet fqinje. (e.n/News24/BalkanWeb)