Gramsh, peticion për mangësitë e sistemit shëndetësor
GRAMSH- Mangësitë e sistemit shëndetësor dhe problemet janë dy motivet e peticionit që kreu i sidikatës së shëndetësisë për Gramshin njëherësh dhe inspektor higjiene , Hyqmet Ibrushi u ka dërguar autoriteteve përkatëse. Sipas tij, situata është më kritike në disa fshatra ku mjekët dhe infermjerët punojnë 3 deri në 4 orë dhe më pas shërbimet shëndetësore nuk kryhen. Si inspektor i higjienës nuk nguron të verë në dukje edhe kushtet në të cilat punon personeli në këto fshatra. “Mjekët e fshatrave shumica banojnë në qytet, por shkojnë me autobus në mëngjes dhe punojnë 4 orë. Po kështu dhe infermjerët. Përvec këtyre 4 orëve shërbimi i urgjencës nëpër fshatra rri zbuluar deri të nesërmen. Shërbimet shëndetësore të urgjencës nuk kryhen në të gjitha fshatrat. Më e domosdoshme është në komunën e Tunjës dhe të Sultit ku mjekët shkojnë 2 herë në javë. Kushtet e punës në qendrën shëndetësore Mashan dhe Kodovjat që nuk kanë parë ndonjëherë gërqere me sy, me xhama të thyer , mjeku dridhet duke plotësuar recetën.” shpjegon Ibrushi. Por sipas kreut të sindikatës së shëndetësisë në Gramsh, problemet janë prezente dhe në qytet ku ka mungesë specialistësh. “Ka mungesë specialistësh. Në maternitet doktori është me banim në Tiranë. Por nga e premtja që doktori ikën në Tiranë deri të hënën shërbimi obstetrik-gjinekologjik në rrethin tonë mbetet zbuluar. Kur ka raste urgjente nënat dërgohen në Elbasan dhe lindin rrugës” thotë Ibrudhi. Këtyre shqetësimeve u bashkohet edhe ai i paraplegjikëve të cilët kërkojnë rrugë të përshtatshme ëpr të hyrë brenda qendrave shëndetësore. (e.n/News24/BalkanWeb)