BE qëndrim neutral ndaj planit të Prishtinës për veriun
BRUKSEL- Bashkimi Europian ka vendosur të mbajë rol neutral në lidhje me strategjinë e re të Prishtinës për veriun e Kosovës. Lajmi vjen nga një burim konfidencial i presidencës spanjolle të Bashkimit Europian dhe citohet nga gazeta kosovare Koha Ditore. BE nuk dëshiron të dëmtojë përpjekjet e qeverisë dhe zyrës së përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë për zbatimin e strategjisë, ndaj misioni EULEX nuk do të përfshihet në këtë cështje. Pozicioni i BE për veriun e Kosovës është i njëjtë si për gjithë Kosovën, të nxiten reformat social-ekonomike, të forcohet ligji dhe të kontribuohet për një mjedis të qëndrueshëm multietnik, thotë burimi burimi diplomatik i Bashkimit Europian. Sipas presidencës spanjolle që flet në emër të gjithë Bashkimit Europian , për Kosovën duhet një qëndrim pragmatik pasi 5 vende përfshi dhe vetë Spanjën ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërkohë është bërë i qartë mendimi i SHBA që e mbështet planin e Prishtinës për integrimin e veriut të Kosovës, ndërsa Rusia e ka hedhur kategorikisht poshtë dhe e ka konsideruar si një plan që dhunon Rezolutën 1244 të KS. Zëdhënësi i qeverisë ruse deklaroi se në rrethanat aktuale duhet të parandalohet cdo përpjekje për të implementuar vendime që mund të dëmtojnë dhe tensionojnë Kosovën. Plani i qeverisë së Kosovës dhe Piter Faith për Mitrovicën, kërkon të shkatërrojë strukturat paralele në veri që drejtohen nga Beogradi. Plani synon të krijojë një komunë të re, të mbajë zgjedhje të reja në veriun e Mitrovicës dhe të shtojë fondet për serbët që jetojnë në këto zona. KFOR dhe EULEX do të mbeten të angazhuara në veri të Kosovës, por vetëm për të garantuar rendin dhe sigurinë. (e.n/News24/BalkanWeb)