Pakti detar, Meta: Anullimi nuk cënon marrëdhëniet më Greqinë
SHBA- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të cënojë aspak perspektivën dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë të cilat absolutisht që do të tregojnë një vullnet edhe më të madh për të ecur përpara. Kështu është shprehur zv kryeministri dhe ministri yne i Jashtëm Ilir Meta në një intervistë dhënë seksionit shqip të BBC menjëherë pas takimit të zhvilluar në Londër me ministrin alternat të puneve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Drucas gjatë konferencës ndërkombëtare për Afganistanin në Londër. Meta tha se ndjente keqardhje për atë që ai e quajti "instrumentalizim të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike". Pyetjes se nëse gjatë takimit zyrtari grek kishte shprehur keqardhje për vendimin Meta u shpreh se, “Natyrisht që kishte një keqardhje të dyanshme si nga pala shqiptare dhe ajo greke, por keqardhja sic tha Meta erdhi më tepër nga intsrumentalizimi politik i cështjes për qëllime politike. Meta siguroi edhe njëherë se qeveria do të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese pavarësisht nëse ky vendim ka qënë ose jo bindës. “Forcat progresiste dhe europianizuese të dy vendeve nuk do të mbeten peng i grupimeve ekstremiste” - deklaroi Meta. Nga ana tjetër Meta hodhi poshtë zërat se Shqipëria mund të hidhte një notë më tej kompromisi ndaj palës greke për të shmangur një veto greke ndaj anëtarsimit të vendit tonë në BE. “Nuk shoh asnjë tendencë të tillë- tha Meta - zgjidhja e çështjeve të kufijve në tërësi, për vendet që ende nuk i kanë zgjidhur ato dhe që synojnë të anëtarësohen në BE, është një avantazh më shumë për të ecur më të sigurt në këtë rrugë, por absolutisht që të gjithë ata që pretendojnë apo që nxisin thashetheme të tilla, do të thosha absolutisht që do të ngelin të zhgënjye” - deklaroi ministri i Jashtëm.(m.a/News24/BalkanWeb)