Fitch zhvlereson serish Greqine

Edhe njëherë agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të kreditit godasin Greqinë me një lloj ultimatumi se nëse kërkon të qëndrojë në Eurozonë duhet të vijojë me planin e masave shtrënguese. Në vlerësimin e fundit agjencia amerikane Fitch rating ka ulur klasifikimin e kreditit në 3 C që do të thotë një nivel më lartë se shkalla e falimentimit. Sipas agjencisë ky zhvlerësim reflekton rrezikun se Greqia nuk mund të jetë në gjendje të mbështesë prezencën e saj në monedhën e përbashkët europiane. Për analistët e agjencisë Fitch, votat e qershorit marrin një rëndësi thelbësore. Nëse zgjedhjet e 17 qershorit nuk janë në gjendje të përcaktojnë një qeveri me një mandat në gjendje për ta cuar përpara programin e masave shtrënguese dhe reformat strukturore të BE dhe FMN, një dalje e Greqisë nga Eurozona do të ishte e mundshme. Në vlerësimin e agjencisë ka ndikuar edhe frika e kursimtarëve në bankat greke të cilët nxituan të tërheqin eurot nga depozitat e tyre nga spekulimet se do të qarkullonte monedha vendase dhrahmia. Gjithsesi ekonomistët e bankave greke shprehen se kjo tërheqje nuk është shqetësuese për momentin. Nga ana tjetër lideri i së majtës radikale të Syrizës Alexis Tsipras është i bindur se Europa nuk do të ndërpresë ndihmën financiare për vendin dhe nëse do ta bënte, atëherë sipas tij, Athina do të ndalonte të rikthente borxhet. Zgjedhja jonë e parë është të bindim vendet e tjera europiane, në interesin e tyre se financimet nuk duhet të ndërpriten, ka thënë Tsipras në një intervistë për Wall Street Journal. Ai konfirmon se Greqia nuk ka si qëllim të marrë asnjë vendim të njëanshëm, por nëse nga ana tjetër vijojnë me masa të njëanshme, që do të thotë nëse heqin financimet, atëherë do të jemi të detyruar të bllokojmë rimbursimet për kreditorët tanë, do të ndërpresim pagesën e kredive tona ka thënë Tsipras.