Fiter Bajrami, krerët e shtetit urojnë besimtarët
Një ditë paqeje, e cila reflekton tolerancë mbi kombin shqiptar. Ky ishte mesazhi i krerëve të shtetit shqiptar, të cilët uruan besimtarët për festën e Fiter Bajramit. Pas një muaji sakrifice në muajin e madhërishëm të Ramazanit, mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë kremtuan këtë festë, e cila i jep fund sakrificës së tyre 1-mujore. Në këtë ditë, e cila shpreh paqen dhe harmoninë, krerët e shtetit shqiptar, duke filluar nga Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministra, por edhe trupi diplomatik në Tiranë, kanë uruar të gjithë besimtarët shqiptarë. Komuniteti Mysliman Shqiptar hapi dyert e tij që në orët e para të mëngjesit dhe në hotel “Tirana” priti qindra mysafirë, të cilët shprehën urimet e tyre. Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, vizitoi dje paradite Bashkësinë Myslimane Shqiptare për të shprehur urimet më të ngrohta e më të mira me rastin e festës së Fiter Bajramin. Kreu i shtetit takoi dhe uroi kryetarin e kësaj bashkësie, Haxhi Ing. Selim Muça dhe më pas vizitoi dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit përzemërsisht nga Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Baba Reshat Bardhi. “Uroj që Fiter Bajrami, kjo ditë e pastrimit dhe dëlirësisë shpirtërore, që vjen pas muajit të shenjtë të agjërimit e përkushtimit, të na ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, plot dashuri për familjet e të afërmit e me më tepër patriotizëm për Shqipërinë!”, - u shpreh Kryetari i Shtetit.
Me rastin e festës së Fiter Bajramit, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, vizitoi sot në mesditë Myftininë e Shkodrës, ku u prit nga myftiu i Shkodrës, imam Ndriçim Sulejmani dhe besimtarë të tjerë. Kryeministri Berisha shprehu urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë në këtë ditë, të cilën e cilësoi një ditë në të cilën njeriu nderon sakrificën dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit, besimit dhe të mirës. “Shfrytëzoj rastin për t’u përcjellë besimtarëve mysliman të Shkodrës, të mbarë Shqipërisë dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë, gëzuar këtë ditë të shenjtë, Ditën e Bajramit, ditën në të cilën njeriu nderon sakrificën dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit, besimit dhe të mirës. Gjithçka e mirë që ekziston sot dhe që e gëzon njeriu, është e ndërtuar mbi sakrificën dhe përkushtimin e tij”, - tha Kryeministri Berisha. Nga Shkodra uroi besimtarët myslimanë edhe kryeparlamentarja Topalli. “Është një ditë, në të cilën të gjithë ndihemi më mire, duke nderuar atë periudhë sakrifice, një sakrificë që ka në bazë të vet vlera të mëdha, për t’ia ditur atij që s’ka, për t’ia ditur atij që është në vuajtje, atij që është i braktisur”, - tha Topalli.
Urimi i Presidentit Bamir Topi
“Uroj që Fiter Bajrami, kjo ditë e pastrimit dhe dëlirësisë shpirtërore, që vjen pas muajit të shenjtë të agjërimit e përkushtimit, të na ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, plot dashuri për familjet e të afërmit e me më tepër patriotizëm për Shqipërinë!”, - u shpreh Kryetari i Shtetit. Në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, duke shtuar se harmonia dhe tolerance fetare, festimi i përbashkët i festave fetare përbën disa nga tiparet e vyera të bashkëjetesës së kombit tonë, që ne i kemi trashëguar nga të parët tanë dhe me të cilat do të pasurojmë akoma edhe më shumë vlerat të familjes së përbashkët evropiane, pjesë e së cilës do të jemi edhe formalisht së shpejti. Besoj që sot është kulmimi i ditës së pastrimit apo kthjellimit të shpirtit, mbas një sakrifice të gjatë agjërimi dhe ju e dini që në kushtet e sivjetshme, agjërimi ka qenë vërtet një sakrificë e veçantë. Por besimtarët myslimanë, që kanë raporte shpirtërore me Zotin, pavarësisht nga vështirësitë e motit, kanë ditur ta përballojnë dhe ky është mesazhi më i mirë i forcës së karakterit, i forcës së shpirtit, i asaj që përcjell Zoti tek të gjithë ne”.
Urimi i Kryeministrit Sali Berisha
“Shfrytëzoj rastin për t’u përcjellë besimtarëve myslimanë të Shkodrës, të mbarë Shqipërisë dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë, gëzuar këtë ditë të shenjtë, Ditën e Bajramit, ditën në të cilën njeriu nderon sakrificën dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit, besimit dhe të mirës. Gjithçka e mirë që ekziston sot dhe që e gëzon njeriu është e ndërtuar mbi sakrificën dhe përkushtimin e tij. Në këtë aspekt, Dita e Bajramit është një frymëzim i madh, është një ditë shprese, një ditë besimi të madh, një ditë e cila të bën të shohësh i sigurt drejt të ardhmes. Gjej rastin të falënderoj më mirënjohje më të thellë udhëheqësit e Komunitetit fetar Mysliman, e Komunitetit fetar Katolik dhe e Komunitetit fetar Ortodoks për punën e madhe që kanë bërë në rindërtimin e besimeve fetare, për mesazhin e shkëlqyer që përcjellin në Shqipëri dhe në mbarë botën, për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, dëshmi e shpirtit të madh të shqiptarëve dhe kombit shqiptar”.
Urimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli
"Sot është një ditë shumë e bukur dhe unë ju uroj të gjithëve gëzuar Fiter Bajramin! I uroj të gjithë besimtarët myslimanë të Shkodrës dhe të gjithë besimtarët e qytetarët e Shqipërisë. Është një ditë, në të cilën të gjithë ndihemi më mirë, duke nderuar atë periudhë sakrifice, një sakrificë që ka në bazë të vet vlera të mëdha, për t’ia ditur atij që s’ka, për t’ia ditur atij që është në vuajtje, atij që është i braktisur. Sot është festë, ku të gjithë festojmë. Unë ndihem shumë mirë që jam bashkë me deputetët dhe me të gjitha komunitetet fetare këtu. Kjo është vlera e Shqipërisë, kjo është vlera e shqiptarëve. Ne jemi përherë gjithmonë bashkë. Kjo harmoni, ky bashkëpunim, ky relacion i jashtëzakonshëm është një model, të cilin ne shqiptarët mund ta përcjellim dhe përtej kufijve tanë, për t’u thënë të tjerëve se kjo është mënyra me të cilën funksionon. Kjo është një vlerë e shtuar dhe ne mund ta përcjellim me shumë krenari. Gëzuar të gjithëve, për shumë vjet Bajramin!”
Ambasadori i SHBA-ve: Shqipëria, shembull për t’u ndjekur
Ambasadori amerikan, John Withers, uroi dje të gjithë besimtarët për festën e Fiter Bajramit. “I uroj Fiter Bajramin Komunitetit Mysliman dhe atij bektashinj, sepse kjo është një ditë shumë e rëndësishme për ta. Për ne amerikanët, praktikimi i fesë, liria e besimit dhe toleranca fetare janë vlera të rëndësishme dhe në Shqipëri i shohim të shprehura më së miri. Ky është një mesazh dhe shembull që duhet ndjekur jo vetëm nga shqiptarët, por nga amerikanët dhe gjithë pjesa tjetër e botës”, - tha Withers.
Urimi i Presidentit amerikan, Barack Obama
“Teksa myslimanët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë botën mbyllin muajin e Ramazanit dhe festojnë Bajramin, unë dhe Michelle dëshirojmë që të përcjellim urimet tona personale në këtë gëzim festiv. Bajrami është momenti për të festuar 30 ditë dhe net përkushtimi. Por, edhe në një rast të tillë festiv, myslimanët kujtojnë ata që janë më pak fatlumë, përfshirë ata që goditen nga varfëria, uria, konfliktet dhe sëmundjet. Përgjatë gjithë muajit, myslimanët mbledhin dhe shpërndajnë sadakanë në mënyrë që të gjithë myslimanët të marrin pjesë në këtë ditë festimesh. Ashtu siç e thashë edhe në Kajro, administrata ime po punon për të bërë të mundur që myslimanët të kenë mundësinë që të përmbushin detyrimet e tyre bamirëse jo vetëm gjatë Ramazanit, por përgjatë gjithë vitit. Në këtë ditë të bekuar, në emër të popullit amerikan, ne urojmë myslimanët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë botës! Eid Mubarak”.