E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, Shqipëria, e vetmja që i mbijetoi recesionit ekonomik



Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka arritur t’i mbijetojë recesionit ekonomik. Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal me qendër në Sarajevë publikoi raportin e radhës me të gjithë treguesit ekonomikë për 11 vendet e Evropës Juglindore. Referuar të gjitha shifrave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, treguesit flasin se Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka zbritje ekonomike. Pavarësisht se FMN-ja ka dhënë disa parashikime për vitin 2009, të cilat nuk janë pranuar nga autoritetet shqiptare, pasi parashikoi një rritje vetëm prej 0.4 për qind për vitin 2009, Shqipëria mban vendin e parë në rajon për rritje ekonomike referuar këtij parashikimi. Të dhënat e FMN-së të analizuara nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, flasin se vendi ynë ka rritje të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në masën 0.4 për qind këtë vit, ndërsa në vitin pasardhës në masën 2 për qind. Kjo përqindje shënon nivelin më të lartë në të gjitha vendet e rajonit. Raporti merr në shqyrtim të dhënat e gjashtëmujorit të parë të viti 2009 dhe parashikimet e ekspertëve. “Aktualisht, të gjitha ekonomitë e rajonit janë duke u prekur thellësisht nga kriza ekonomike botërore”, - thotë informacioni i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Sipas tij, “prodhimi industrial është kontraktuar thelbësisht, është rritur papunësia dhe ka rënë tregtia ndërkombëtare”. Por, ekspertët pohojnë se “në shumicën e vendeve, inflacioni dhe deficiti fiskal pritet që të mbahen nën kontroll”.

Rritja ekonomike

Kriza ekonomike i ka vënë fre rritjes së zhvillimit ekonomik në vendet e rajonit pas disa vitesh progresi të konsiderueshëm. Thuajse të gjitha vendet kanë kaluar në recesion të thellë, por vetëm viti 2010 pritet të shënojë përmirësim të disa treguesve. Duke iu referuar statistikave, Shqipëria gjatë vitit 2009 pritet të ketë një rritje me 0.4 për qind, referuar parashikimit të FMN-së në prill të këtij viti. Megjithatë, treguesit shqiptarë flasin për një rritje shumë herë më të lartë ekonomike. Për sa u përket vendeve të rajonit, uljen më të madhe e kanë shënuar Turqia, Moldavia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia. Në zonën e recesionit të gjatë janë edhe Greqia, Serbia dhe Maqedonia. Viti 2010 pritet të lërë në rritje negative me minus tri prej shteteve të rajonit, ndërsa rritjen më të madhe ekonomike parashikohet ta ketë Shqipëria, në masën 2 për qind. Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare shprehen se viti 2010 do të ketë një rritje më të lartë se ç’e parashikon FMN-ja dhe kjo, bazuar në disa tregues, si mbajtja e investimeve në një ritëm të lartë, një impakt më të lartë të reformave etj.

Krahasimi

Studimi krahasues mes vendeve të rajonit, i përgatitur nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, sjell treguesit edhe për inflacionin, deficitin tregtar, deficitin fiskal, të dhënat për importet dhe eksportet. Thuajse të gjitha vendet e rajonit do të arrijnë të mbajnë nën kontroll inflacionin. Më të lartin e ka Turqia me 6.9 për qind, ndërsa më të ulëtin, Maqedonia me 1%. Shqipëria ka tregues të inflacionit në masën 1.5 për qind, ndërsa në vitin 2010, ai pritet të arrijë në 2.2 për qind. Deficiti buxhetor në Shqipëri pritet të arrijë në -11.3% ndërsa në vitin 2010 do të ulet deri në masën -7.4. Krahasuar me shtetet e tjera të rajonit, treguesit janë më të ekuilibruar. Ndërsa deficiti fiskal përllogaritet ndër më të lartit mes shteteve të përfshira në studim. Gjatë 2009-s do të jetë -3.9, ndërsa në vitin pasardhës, përllogaritet -3.3%. Pikat më të dobëta të ekonomisë së Shqipërisë kanë të bëjnë me performancën e importeve dhe të eksporteve. Të dhënat flasin për rritje të deficit tregtar dhe për ulje të ndjeshme të eksporteve. Kjo ka ndodhur për shkak të uljes së fuqisë blerëse nga tregjet perëndimore, dobësim të konkurrueshmërisë dhe mungesë likuiditetesh nga kompanitë vendase. Këshilli për Bashkëpunim Rajonal jep disa sugjerime për vendet e rajonit që të kalojnë sa më shpejt situatën në të cilën ndodhen. Sipas sugjerimeve, “është e nevojshme për qeveritë e rajonit që të përpiqen për të lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur ndikimin e lartë të saj mbi ekonominë reale”. Njëkohësisht, propozohet mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe garantimi i stabilitetit në sistemin makroekonomik dhe financiar.

Rritja ekonomike

2007 2008 2009 2010

Shqipëria 6.3 6.8 0.4 2

Bosnje dhe Herc. 6.8 5.5 -3 0.5

Bullgaria 6.2 6 -2 -1

Kroacia 5.5 2.4 -3.5 0.3

Maqedonia 5.9 5 -2 1

Greqia 4 2.9 -1.7 -0.4

Moldavia 4 7.2 -3.4 0

Mali i Zi 10.7 5 -2.7 -2

Rumania 6.2 7.1 -4.1 0

Serbia 6.9 5.4 -2 0

Turqia 4.7 1.1 -5.1 1.5

Burimi: Parashikimi Ekonomik Botëror (FMN), prill 2009

Të dhënat ekonomike

Industria

Sipas raportit të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, industria është prekur nga recesioni, por ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka rritje pozitive. Edhe pse në kushtet e rënies në tërësi të eksporteve, rritja e industrisë në Shqipëri është mbi 100 për qind, konkretisht në masën 100.9 për qind për vitin 2009, gjithnjë sipas të dhënave të FMN-së.

Inflacioni

Mbajtja në kontroll e inflacionit apo rritjes së çmimeve në tërësi, ka qenë një sfidë e cila pothuaj është arritur të realizohet nga të gjitha vendet e rajonit. Gjithsesi, Shqipëria përsëri ka shifra më optimiste. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2009 do të ketë një inflacion që nuk do t’i kalojë 1.5 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm ai nuk do të jetë më i lartë së 2.2 për qind. Këto shifra janë brenda objektivave të Bankës së Shqipërisë.

Deficiti buxhetor

Kriza ekonomike ndërkombëtare ka krijuar deficit buxhetor ose borxh në të gjitha vendet e rajonit. Raporti vlerëson se Shqipëria ka pasur një deficit në masën 5.2 për qind gjatë vitit 2009 apo ai do të vijojë në ulje. Të dhënat flasin se gjatë vitit 2009 deficiti nuk do të jetë më i lartë se 3.9 për qind, ndërsa vitin tjetër jo më i lartë se 3.3 për qind. Këto shifra janë shumë pozitive në një kohë që vendi ynë ka si objektiv që borxhin të mos e këtë më të madh se 4 për qind. Në krahasim me vendet e rajonit, kjo cilësohet si progres për Shqipërinë, pasi vende të tilla, si Greqia, do të kenë rritje të borxhit në vitet në vijim, duke shkuar deri në 8 për qind vitin tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›