Pronat e feve, përgjigjja, nga një arkivë 70-vjeçare në Firence
Shteti shqiptar dhe komunitetet fetare janë në mes të bisedimeve për kthimin e pronave këtyre të fundit. Mbas miratimit të marrëveshjeve në Kuvend mes komuniteteve fetare dhe qeverisë, lind detyrimi që Komuniteti Mysliman, Katolik dhe ai Ortodoks të tërheqin pronat e tyre që u konfiskuan me dhunë nga sistemi komunist, por kthimi i pronave për komunitetet fetare nuk është varur vetëm nga vullneti politik, por edhe mangësia në dokumentacion. Komunitetet fetare, ndonëse kishin pasuri të shumta para vitit ‘45, ato në të shumtën e rasteve nuk ishin të regjistruara në emrin e tyre. Një pjesë e madhe e pronave kanë qenë të dhuruara në vite nga besimtarë, por që komunitetet në ato vite nuk i regjistronin në Hipotekën Mbretërore si të tyret, ndonëse i kishin përfituar si trashëgimi.
Por, një përgjigje pritet të vijë nga përtej detit. Mbreti Zog, në kuadër të reformave të viteve ‘30, nisi edhe atë agrare. Qeveria e asaj kohë kontraktoi Institutin Mbretëror të Firences në Itali (sot njihet si Instituti i Firences), për të bërë një regjistrim të pronave të Shqipëri si dhe për të dhënë sugjerime për reformën agrare. Ky institut ka regjistruar edhe pronat e komuniteteve fetare në vitet ‘30, çka përbën ndoshta informacionin më të besueshëm.
Në këto kushte, autoritetet shqiptare që udhëhiqen nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Jashtme, kanë disa kohë që kanë nisur të bisedojnë me këtë institut për të tërhequr të dhënat e viteve ‘30. Në bazë të këtyre të dhënave të Institutit të Firences, pritet të bëhet edhe kthimi i pronave të komuniteteve fetare. Por, nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, bëhet e ditur se ende nuk është marrë arkiva e këtij instituti. Nga kjo agjenci bëhet e ditur se në funksion të zgjidhjes së problemit “kultet fetare si ish-pronarë”, janë organizuar tryeza të rrumbullakëta me përfaqësues të kulteve fetare, të cilët në dobi të procesit të kthimit dhe kompensimit kanë parashtruar pretendimet e tyre si ish-pronarë, por edhe mundësitë për gjetjen e një banke të dhënash në ndihmë të të gjithë ish-pronarëve, kjo ishte pranë Institutit të Firences - i cili në periudhën e regjimit të Mbretit Zog ka qenë i ngarkuar me regjistrimin e të gjithë pasurive të patundshme shqiptare të asaj kohe. AKKP-ja thotë se “menjëherë u panë mundësitë për kontaktin me këtë institut me qëllim marrjen dhe disponimin e këtij informacioni nëpërmjet një bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Jashtme”.
Shteti shqiptar është ende në tratativa për të siguruar këtë arkivë të Institutit Italian, i cili do të përbëjë edhe një arkivë studimore më shumë rëndësi edhe për historianët, për vitet ‘30 në Shqipëri. Në ato vite, shteti shqiptar kishte arkivën e trashëguar nga ish-Perandoria Otomane, e cila konsiderohej nga më të mirat për sa i përket ruajtjes së të dhënave të pronës. Por, çështja e komuniteteve fetare ka qenë e komplikuar për shkak se shumë prona përdoreshin nga komuniteti, por ato nuk ishin regjistruara në Hipotekë. Një listë e tyre mendohet se e ka Instituti i Firences që shteti shqiptar kërkon ta marrë në shërbim.
Reforma agrare e viteve ‘30, këshillat e Institutit Mbretëror të Firences
Instituti Mbretëror i Firences e kreu mjaft mirë detyrën e tij në vitet 1930, duke dhënë këshilla për reformën agrare, të cilat duken më shumë se kurrë aktuale edhe për ditët e sotme. Profesor Giovanni Lorenzoni, i Universitetit Mbretëror të Firences, i cili i thirrur nga Mbreti Zog në vitin 1930, në studimin e tij me titull “Studime e vëzhgime dhe propozime për një reformë agrare në Shqipëri” këshillon: “Asnjë veprim legjislativ nuk mundet me u krahasuar me reformën agrare, sepse ky shkul rrënjët më të thella të jetës së një vendi, për të ndryshuar gjendjen e tanishme e për të përcaktuar kohët e ardhme, duke vënë në një udhë krejt të re rregullimin ekonomik, shpirtëror e politik, e prandaj nga mënyra me të cilën do trajtohet e do vihet në zbatim ajo (reforma), ku varet në pjesën më të madhe lumturia ose mjerimi i kombit tonë”. Konkretisht profesori italian propozoi katër pika sipas të cilave, “Qëllimi i reformës do jetë: Baza kapitaliste i ekonomive të mëdha bujqësore, sipas modelit të ekonomive bujqësore kapitaliste të Perëndimit, që të japin rendimente të larta. T’u jepet fshatarëve pa tokë ose me pak tokë, një pjesë nga tokat e shtetit (atëherë shteti kishte 50000 ha tokë, kurse në vitin 1990, 360000 ha tokë) në radhë të parë dhe nga latifondet e mëdha në një gradë më të kufizuar. Dhënia e tokave ekonomive fshatare të bëhet kundrejt një shpërblimi në të holla, të pagueshme nga këta, nëpërmjet Bankës Agrare Kombëtare, e cila do të siguronte kreditin e saj, duke inskriptuar hipotekë mbi pronat e shpronësuara në favor të bujqve. Konfiskimi është i ndaluar dhe s’mund të bëhet veçse me ligj e me gjyq. Për shpronësim paguhet një shpërblim i drejtë d.m.th. vleftën e tregut të sendeve që shpronësohen. Bujqit që kundërshtojnë detyrimet, nuk i paguajnë ato ose nuk e punojnë tokën, do të lajmërohen një herë brenda një viti dhe pastaj do të shpronësohen në favor të zyrës agrare, e cila ia jep këto toka bujqve të tjerë me të zotë”.
Sa prona kanë komunitetet fetare?
Ende nuk ka një shifër të saktë për pronat që komunitetet fetare duhet të marrin. Komuniteti më i pasur në vend është Komuniteti Mysliman, pasuria e të cilit është e shpërndarë në të gjithë vendin, nga Shkodra e deri në Sarandë. Si komuniteti tradicionalisht më i madh në vend, gjatë regjimit komunist, kësaj bashkësie iu shtetëzua nga regjimi jo pak, por rreth 2 milionë metra katrorë tokë, përfshi nga objektet e kultit dhe zonat e tyre përreth e deri në pasuri të tjera, që ishin nën pronësinë e bashkësisë myslimane. Sipas këtij komuniteti, deri tani janë kthyer rreth gjysma e pasurive të konfiskuara, ndërkohë që kthimi i pasurive ka ecur me ritme më të shpejta në disa qytete, si Tirana, ku janë kthyer më shumë se 60 për qind e pronave. Për këtë komunitet situata duket problematike në qytete si Durrësi, Kavaja dhe Vlora, si edhe Lushnja dhe Peshkopia, ku janë kthyer vetëm një sasi e vogël e pronave. Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë është komuniteti i dytë më i madh në vend si nga numri i besimtarëve tradicionalë, ashtu edhe për sa i përket pasurisë. Në ndryshim nga Komuniteti Mysliman, Kisha Ortodokse e ka të përqendruar pasurinë e saj në Shqipërinë e Mesme dhe në atë Jugore, ku është ekziston edhe tradita ortodokse e krishterë në vend. Një pasuri të konsiderueshme ka edhe Komuniteti Katolik kryesisht në veri të vendit. Të dhënat flasin se sistemi komunist jo vetëm që vrau mbi 300 klerikë të njohur shqiptarë, por që tjetërsoi mbi 2 mijë objekte kulti në mbarë vendin.