E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitimet bastet kalojne edhe drogen

Kopertinë e gjitha e zezë dhe titulli “Të korruptuarit” me gërma të verdha. Kjo ishte faqa e parë e revistës së përjavëshme “France Football”, që në pjesën më të madhe të këtij numri i dedikohet skandalit të ri të basteve në Itali.

Por, ky është një fenomen që po gjunjëzon futbollin botëror, ndërsa efektet e tronditjes I kanë ndjerë edhe ligat e mëdha, ku pas Serisë A italiane, Superligës greke dhe Superligës turke, tashmë dyshime janë hedhur edhe në La Ligan spanjolle.

Editoriali i Zherard Ejnes titullohej “Siguria e neveritshme”. Mes radhëve aty lexohej: “Në zemër të hetimit shumë informues dhe mjaft pasionant që publikojmë, kryeprokurori i Barit, Antonio Laudati, i ka dhënë të dërguarit tonë një intervistë ekskluzive, gjatë të cilës shqipron frazën e tmerrshme: ‘Me bastet mund të fitosh disa herë më shumë parà sesa me drogën’”.

Gjatë intervistës, kryeprokurori Laudati shpjegon si nisi hetimi dhe cilat janë lidhjet me grupet e organizuara kriminale. “Duhet të reflektojmë, deklaroi ai, bota e futbollit nuk ishte ende gati për t’u përballur me këtë biznes të ri dhe kaq të madh të basteve… Tashmë mund të hedhësh bast për gjithçka, edhe gjatë ndeshjes: cila skuadër fiton goditjen e parë të këndit, goditjen e parë të dënimit. Baste të tilla janë të ekzagjeruara; kemi shkuar shumë larg”, tha ai.

Por, ndërsa hetimet e Prokurorive të Kremonës dhe Barit për ndeshjet e trukuara në Serinë A dhe B po vazhdojnë, Federata Italiane e futbollit ka bërë të ditur se më 7 ose 8 maj do të jepen ndëshkimet e para për lojtarët, drejtuesit apo klubet që janë konfirmuar si palë të përfshira në manipulime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›