Fitimet e raportuara janë iluzive
Ekspertët në të katër anët e botës kanë filluar të paralajmërojnë se fitimet e bollshme dhe surprizuese të njoftuara nga shumë banka dhe kompani të tjera, në shumicën dërrmuese të rastit pasqyrojnë ndryshime strukturore dhe shitje asetesh të rëndësishme dhe si të tilla, nuk përfaqësojnë një rigjallërim ekonomik. Disa banka amerikane njoftuan javën e kaluar se kanë realizuar miliarda dollarë fitime, gjë që i dha shpresë botës për fundin e shpejtë të krizës. Dje, edhe disa kompani makinash si Hundai apo Ford, raportuan fitime rekord. U deshën shumë ditë pas publikimit të këtyre lajmeve, që ekspertët të shpjegonin shkaqet: Goldman Sachs realizoi fitime nga shitja e aseteve të mëdha, dhe jo nga biznesi i saj i zakonshëm, Ford, njoftoi se ka realizuar 2.3 miliardë dollarë fitime për tre muaj, por këto fitime erdhën si pasojë e ristrukturimit të borxhit, pra qenë më së shumti, risistemim bilanci sesa fitime.