E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transporti, asnjë lëvizje pa biletë

Askush nuk mund të udhëtojë pa u pajisur me biletë, në të kundërt do të gjobitet. Kësaj here, Ministria e Financave në bashkëpunim me administratën tatimore e ka marrë seriozisht luftën kundër evazionit dhe informalitetit në sektorin e transportit rrugor. Vendimi prek më së shumti linjat e mëdha të transportit, të cilët në të shumtën e rasteve nuk i pajisin pasagjerët me bileta, kurse për taksitë dhe furgonët, do të punojnë me anë të taksimetrit. Një vendim i marrë në muajin qershor, por i fuqizuar në ditët e fundit, udhëzon tatimorët dhe subjektet private si të veprojnë në përmbushjen e detyrimeve për t‘u pajisur me biletë. Në pikën dy të vendimit, ministra sqaron se, bileta duhet të këtë brenda në çmim edhe vlerën e shtuar, pra TVSH-në, duke iu referuar legjislacionit në fuqi. Për të zbatuar vendimin, i cili prek të gjitha linjat e transportit brenda dhe jashtë vendit, ministria ka udhëzuar tatimorët sesi të veprojnë. Megjithatë, vendimi nuk sqaron sesi do të veprohet me taksitë, që i kanë të vendosura taksimetrat, por që nuk janë në punë, për shkak të mosmiratimit të tarifave. "Në rastet e shërbimeve për të tretë ose në shërbime të rregullta, të specializuara apo të organizuara brenda vendit ose ndërkombëtare, pasagjerët nuk pajisen me bileta, por agjencia e udhëtimit i lëshon faturën tatimore drejtuesit të shoqërisë ose përfituesit të shërbimit. Në këto raste, drejtuesi i mjetit duhet të ketë gjatë udhëtimit listën e udhëtarëve dhe faturën tatimore, të lëshuar nga agjencia e udhëtimit", sqaron ministria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›