E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitimtari Murinjo iu kunderpergjigj kritikave pas fitores se kupes se Mbretit

Për fitimtarin e madh të mbrëmjes së kupës së vogël, futbolli elitar nuk është vetëm mbajtje e topit, por edhe mbrojtje, kundërsulm, mbulim dhe lojë kolektive.

Këto janë fjalët e Murinjos, trajnerit të Realit të Madridit, pasi skuadra e tij fitoi Kupën e Mbretit në Spanjë përballë Barcelonës, me atë gol të vetëm të Kristiano Ronaldos.

Si gjithnjë në mbrojtje të lojtarëve të tij, duke vlerësuar maksimalisht tifozët, pa harruar kundërpërgjigjet ndaj shigjetave që mori këto ditë si dhe duke hedhur një mendim edhe për tifozët e Interit në Itali.

Ishte një ndeshje e ngarkuar emocionalisht pa pasur nevojë që të ishte. Në pjesën e parë ishim ne më të mirët, ndërsa ata ishin më mirë në të dytën. Nuk di sesi doli jashtë ai top i Pepes sepse m’u duk se hyri në portë, ndërsa më pas Kasijas u përgjigj me dy pritje të mëdha.

Bëmë pak gabime, duke pasur njerëz seriozë dhe korrektë taktikisht. E dinin se duhej të mbaheshin deri në shtesë, të ishin kompaktë ndërsa kundërshtari vuajti mentalisht sepse nuk është mësuar që të humbasë. Ka nga ata që mendojnë se futbolli i madh është vetëm zotërimi i topit, por nuk është kështu.

Një ndeshje e madhe duhet të ketë edhe punë mbrojtëse, kundërsulm, mbulim të hapësirave dhe lojë kolektive.

Zhvilluam një ndeshje të madhe. Më quajnë trajner trofesh, jo futbolli, por më pëlqen të jem trajner trofesh. Mendoj se edhe tifozët e Interit duhet të jenë ndjerë krenarë.

Rivali i tij, Guardiola, hodhi menjëherë sytë nga ndeshjet e Champions-it, duke vlerësuar se finalja e kupës mund të fitohej nga secili prej ekipeve.

Para së gjithash dua të përgëzoj Realin e Madridit për fitoren e Kupës. Ata zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa ne ishim shumë mirë në të dytën. Ndeshja mund të kishte anuar nga të dy krahët dhe në fund anoi nga Madridi. Në këto lloj ndeshjesh janë detajet që bëjnë diferencën. Natyrisht që ka trishtim pas humbjes. Është më mirë të fitosh, por na duhet të mbledhim veten.

Jeta nuk përbëhet vetëm nga fitore, duhet të mësohesh edhe me humbje, të reagosh dhe këta lojtarë e kanë treguar në të kaluarën se dinë ta bëjnë. Duhet të analizojmë humbjen dhe të mendojmë për Ligën e Kampionëve.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›