E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titullar pas një viti

Altin Lala pritet të luajë sonte ndaj Freiburgut nga minuta e parë me skuadrën e tij Hannover, pas 13 muajsh. Reprezentuesi shqiptar ndihet mirë dhe i gatshëm për të kontribuuar për ekipin e tij, që synon pozitën e tretë, e cila çon në Ligën e Kampionëve. Nga Express më 21 prill 2011 në ora 14:45

Trajneri i Hannoverit, Mirko Slomka, e ka përgatitur befasinë më të madhe të sezonit. Ai mendon ta aktivizojë nga minuta e parë të premten mbrëma mesfushorin shqiptar Altin Lala, në sfidën shumë të rëndësishme ndaj Freiburgut.

E themi shumë të rëndësishme, ngase ky ekip po lufton për pozitën e tretë, e cila çon në Ligën e Kampionëve. Aktualisht, Hannover ka vetëm një pikë më pak se Bayern Munich, i cili është i treti. Andaj këtij ekipi i duhet fitorja gjithsesi për t’i mbajtur gjallë shpresat. E për këtë, Slomka ia ka besuar udhëheqjen e lojës përfaqësuesit shqiptar.

“Ju duket e drejtë kjo?”, i ka pyetur 34 vjeçari gazetarët me një buzëqeshje të mërkurën, pas stërvitjes. “Jam mirë, gjithçka po shkon mirë. Nuk kam kurrfarë dhimbjeje dhe mund të luaj pa problem”, tha Lala për tabloidin gjerman Bild.

Mungesa e Pintos do t’ia mundësojë Lalës të luajë nga fillimi, përkrah Manuel Schmiedebach. Trajneri Slomka ka dashur të krijojë paksa huti, edhe pse duket e qartë se shqiptari do të luajë nga minuta e parë. “Është një opsion, por kam edhe dy opsione të tjera”, tha ai.

Sidoqoftë, mediat gjermane shkruajnë se veterani shqiptar do të luajë nga fillimi i ndeshjes pas plot 13 muajsh, që nga marsi i vitit 2010. Lëndimet e njëpasnjëshme ia kishin pamundësuar atij të luante në vazhdimësi, duke u bërë një rezervist i rregullt.

Lala ka kontratë me Hannoverin deri në qershor. Ai e ka përsëritur disa herë dëshirën dhe vullnetin për të luajtur edhe një sezon me Hannoverin. Mirëpo, gjithçka do të vendosë kryesia dhe shtabi teknik i klubit gjerman, ku ai kaloi më shumë se 10 vjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›