Rexhepin e gëzoi interesimi i Barçës

Dardan Rexhepi është ndier i nderuar kur ka dëgjuar se pëlqehet nga njëri prej klubeve më të mëdha në botë, Barcelona. 19 vjeçari i ka rënë në sy të skautëve të klubit katalunas gjatë periudhës sa qëndroi në La Manga të Spanjës me përfaqësuesen U19 të Suedisë.
Mirëpo, përveç ekipit nga Camp Nou, sulmuesi kosovar i skuadrës së Malmos e pranon se ka edhe klube të tjera të interesuara për shërbimet e tij.
“Nuk dëshiroj të komentoj shumë, por jam i nderuar dhe krenar që po më vëzhgon dhe është i interesuar për mua njëri prej klubeve më të rëndësishme në botë. Mirëpo, ka edhe shumë klube të tjera evropiane që i kanë drejtuar sytë kah unë”, theksoi futbollisti kosovar për ueb faqen suedeze fotbollskanalen.se.
Mirëpo, prishtinasi planifikon që njëherë të zhvillohet në Malmo, para se të mendojë për hapin e radhës në karrierën e tij. “Unë mundohem të mos mendoj shumë për të ardhmen. Më pëlqen të mbetem në Malmo dhe të zhvillohem edhe më shumë”, shtoi ai.
Futbollisti me pasaportë suedeze nuk befasohet për faktin se po përcillet nga një klub i madh si Barcelona. “Ata e dinë mirë se cilët lojtarë janë të dalluar dhe nëse mendojnë se unë jam një lojtar i mirë, nuk ka diçka të çuditshme apo të befasishme”, vazhdoi Rexhepi.
Te Malmo, ai duhet t’i përvjelë mëngët dhe të punojë fort, ngase këtë sezon e pret sërish një konkurrencë e fortë, pasi ka përballë bashkëkombësin Agon Mehmeti dhe sulmuesin tjetër të rëndësishëm, Daniel Larsson. Rexhepi do të kishte më shumë hapësira nëse ndonjëri nga të lartpërmendurit do të largohej nga Malmo.
“Nuk i dihet kurrë, futbolli ndryshon nga dita në ditë. Është pozitive se këtu ekziston një konkurrencë e fortë. Zhvillohem unë dhe sulmuesit tjerë. Do të mundohem ta demonstroj talentin tim në Malmo, vetëm ky klub është në mendjen time”, tha në fund futbollisti kosovar.
Rexhepi ka debutuar me sukses në Malmo, duke u shpallur kampion i Suedisë me këtë ekip, në vitin e tij të parë me ekipin e parë. Ai ka shënuar gol të rëndësishëm në derbi me Helsingborgun, pas të cilit ishte bërë hero i Malmos.
Në përgjithësi sezonin e kaluar prishtinasi pati 9 paraqitje me Malmon, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar dy asistime. Dardan Rexhepi ka kontratë me Malmon deri në vitin 2014. Sipas fotbolltransfers.com, vlera e tij është rreth gjysmë milioni euro.